Flash News

KRYESORE

Shtet i përkohshëm me një qeveri që sillet si e përhershme; sistemi që Edi Rama po ngre në Shqipëri

Shqipëria ndodhet në një situatë kritike sa i përket krimit të organizuar, trafikut të drogave, krizës ekonomike dhe largimit masiv të njerëzve, por këto nuk mjaftojnë që qeveria dhe mazhoranca të bëjnë përpjekjet me opozitën dhe Presidentin e Republikës për të ndërtuar institucione të forta dhe të besueshme për qytetarët.

Kryeministri Edi Rama fitoi zgjedhjet e 25 qershorit me argumentin për të bërë shtet, por deri më tani ka ndërtuar vetëm një “shtet të përkohshëm”.

Mjafton ky takim në Ministrinë e Brendshme, në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, që ka për qëllim pikërisht forcimin e shtetit kundër shkelësve të ligjit, për të kuptuar nëse objektivat e qeverisë janë afatgjata apo janë të përkohshme, sa për të kaluar radhën.

Në takimin e thirrur nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj morën pjesë gjashtë drejtues institucionesh, tre prej tyre janë të përkohshëm, por lista mund të zgjerohet edhe më tej.

Pjesë e takimit ishin Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku; Drejtori i Përgjithshëm i Përkohshëm i Policisë Rebani Jaupaj; Zv.drejtori i SHISH Helidon Bendo, i cili në mungesë të një kryetari, ushtron përkohësisht funksionet e tij;  Drejtori i SHÇBA-së Eduart Merkaj, detyrë që mund të mos e mbajë edhe për shumë kohë sepse shihet si kandidat për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë; Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj.

Në këtë sistem të ngritur nga Edi Rama funksionet normale të një shteti demokratik duket se po përmbysen, pasi në Shqipëri shteti po ndërtohet i përkohshëm, ndërsa qeveria po sillet gjithnjë e më shumë si e përhershme.

Të fundit