Flash News

KRYESORE

"Rexhep Qosjen nuk e pranojnë në Prishtinë. Vjen e flet në Tiranë  si Taulant Balla, apo si ata hoxhallarët e nahijes së Kaçanikut"

"Rexhep Qosjen nuk e pranojnë në Prishtinë. Vjen e flet

3 pyetje për Agron Gjekmarkajn nga Politiko.al

 

1-Akademiku kosovar Rexhep Qosja ka thënë në një intervistë për Gazetën Shqiptare, se  Saimir Tahiri është i pafajshëm, pavarësisht dosjes italiane të përgjimeve që e implikon ish-ministrin. Mendoni se realiteti i këtushëm shkon në Kosovë i shtrembëruar dhe i paqartë, apo z. Qosja po mundohet të ndërtojë një 'realitet të ri', të cilin e kemi dëgjuar të ligjërohet kryesisht nga qeveritarë dhe media pro qeveritare?

Zotni Qosja shumë herë gjatë këtyre viteve ka humbë raste të arta për me heshtë. Në Kosovë mendimet e tij kanë pësu' inflacion shumë të madh, edhe për faktin se shoqnia kosovare, duhet pranuar, ka qenë më pak e indoktrinuar politikisht; a në mos e indoktrinuar me ideologji kombëtare, një dukuri kjo që i ka bërë veç mirë asaj në raport me sfidat historike me të cilat është përballur.

Qosja ka një problem të madh me mospranimin që i kanë bërë qytetarët e Kosovës si politikan e ideolog, duke zgjedhur skajshëm Ibrahim Rugovën në vend të tij, por duke e pranuar pjesërisht si njeri kulture, për aq sa vlen. Rexhep Qosja në Kosovë është njëri prej intelektualëve, dhe jo Intelektuali. Kjo është drama e tij të cilën s'do ta lexojë e pranojë.

Në Shqipëri i ka ecur kungulli mbi ujë, ku e ku më tepër si një personazh që ka legjitimuar nismat kulturore e politike të regjimit të Enver Hoxhës, qysh me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Për këtë devocion Tirana zyrtare është treguar zemërgjerë duke i dhënë atë që ai dëshiron më shumë, titullin që në Kosove i mungon...atë të "patriarkut", me po aq zell sa ç'kanë gjuajtur kundër Ibrahim Rugovës.

Qose është shfaqur gjithmone si majtist, e kjo nuk ka gjë të keqe. Problemi është kur majtizmin do t'ua shesë të tjerëve si të vetmen rrugë dhe këndvështrim për botën. Edi Ramës i duhet një legjitimues në Kosovë, një mbështës me mjekër plot thinja intelektualizmi, ndaj të cilit nuk kursehen elozhet. 'Skandali Tahiri' është edhe 'skandali Rama' në një farë mënyre, një problem i madh për Kryeministrin; paçka se drejtësia s'ka folur ende; paçka se drejtësia nën trysni dhe shantazh mund ta mbyllë si çështje. Por, kjo është nga ato vraga që nuk mbyllen kurrë.

Zotni Qosja nuk po ndërton një realitet të ri, thjesht po manipulon me "paanshmërinë" e tij realitetin ekzistues. Ai po sillet si mik i Edi Ramës. Por miqësinë mes tyre kot lodhet me na e shitë si sferë të epërme të mendimit kombëtar. Për librat që ka shkruajtur, gjynah të sillet si Taulant Balla në Tiranë. Një këngë e vjetër thotë "o po shkon fjala nëpër tel"...tani, në kohën dixhitale është i pamundur deformimi i faktit nga gabime teknike, por tani është i mundur deformimi i ndershmërisë publike për arsye të njohura e të panjohura.

2- Rexhep Qosja është një anatemues i vjetër i së djathtës në Shqipëri. A shquani ju dot një zanafillë të kësaj, një arsye, një shtyse? A është ideologjike, apo diçka tjetër?

Zotni Qosja, sapo ra zyrtarisht diktatura, ja behu në Shqipëri në shërbim të Ramiz Alisë si bashkëkryetar i Komitetit të Pajtimit Kombëtar. Elita e diktaturës komuniste, së cilës i rri mirë edhe etiketimi 'terroriste', kishte nevojë për një alibi për një kinse pajtim me viktimat e veta. Qysh në krye të herës dukej proces ahistorik, alogjik, thjesht i neveritshëm, një tallje me persekutimin dhe viktimat. Qose u bë simbol i këtij "pajtimi". Në Kosovë po që kishte ndodhur një pajtim kombëtar duke mbyllur gjakmarrjen sipas kodeve zakonore, një nisëm e papërsëritshme kjo nga Anton Çeta, por ajo s' kishte asgjë të përbashkët me xhyben e re që kërkonte të vishte Ramiz Alia. Asokohe drejtuesit e opozitës së sapokrijuar, nuk ja pranuan këtë rol, sa hipokrit dhe po aq të dëmshëm. Këtu Qose u shndërrua përfundimisht në "atin" e së majtës. Jo rastësisht të gjitha gërdallat e realizmit socialist e kanë atë kult, siç krejt e kundërta ndodh me breza të tjerë që çmojnë Rugovën e Hamitin si studiues. Brenga më e madhe e Qoses është se ka humbur të gjitha betejat me Ibrahim Rugovën, ato të bashkohësisë dhe historisë. Kjo është një e humbje e krejt të majtës shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë.

Për mua dëmin më të madh Qosja se ka bërë me anshmërinë e tij politike, por me atë gjeostrategjike duke ju kundërvënë marrdhënies së shqiptarëve me Europën dhe Perëndimin, duke sulmuar tezën themelore, atë të identitetit europian të shqiptarëve, të bartur nga Ismail Kadare. Kësisoj, ai ka folur njësoj si disa hoxhallarë të rëndomtë të nahijes së Kaçanikut.

3-Deputetit Tahiri i është kthyer pasaporta, ndërkohë që Orest Sota është liruar me kusht. A janë këto shenja se, duke marrë parasysh edhe emërimin e Kryeprokurores së përkohëshme, se po shkojmë drejt mbylljes së çështjes?

Po, janë shenja të qarta. Gjithsesi, mendoj se Arta Markut i duhet dhënë një shans. Por, historia e këtyre viteve pluralizëm na ka mësuar se kur pushteti bëhet një me Prokurorinë dhe gjykatën i ka punët keq, e ka ndërgjegjen me njolla, e ka shpirtin të tallazitur...Në këtë mënyre garantiste, ai kërkon që të mbajë të mbyllur kutinë e Pandorës, por ajo tanimë është hapur. Kryeministri ka nevojë për syze firmato. Duke u kthyer te Kryeprokurorja, jam i mendimit që, me të drejtë për mënyrën si u zgjodh, rëndojnë mbi të gurë të tërë paragjykimesh. Këto aktet e fundit i shtojnë ato. Ajo duhet të kuptojë që mund t'i bëjë mirë apo keq vendit të saj me disa akte dhe qëndrime. Një nga këto akte do të ishte marrja e një distance sanitare ndaj pushtetit dhe t'i shërbejë interesave të publikut, qoftë edhe me modesti. Duke pritur jo gjatë, nuk dua ta "rrëzoj" me një të rënë "të lapsit" Kryeprokuroren Marku. Por, shpresojmë që ajo të mos "rrëzohet" vetë dhe sidomos në pak javë. Sa mirë do ishte nëse na zhgënjen pozitivisht, duke mos burgosur ata që vjedhin biçikleta, por ata që na kanë vjedhur kohën dhe shpresën duke grabitur gjithçka, qofshin në qeveri apo opozitë.

Politiko.al

 

 

Të fundit