Flash News

KRYESORE

Nikki Haley nuk ‘hakmerret’ ndaj Shqipërisë, fton në festë ambasadoren shqiptare

Vota e Shqipërisë pro rezolutës që dënonte vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për të njohur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit, nuk ka ndikuar të paktën në marrëdhëniet midis përfaqësuesve të të dyja shteteve në OKB. Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare është ftuar në një pritje të homologes së saj amerikane, Nikki Haley, ndryshe nga sa ndodhi në pritjen në fillim të janarit, kur Kadare nuk u ftua nga Haley për shkak të votës kundër SHBA-së. “Falenderime të ngrohta për ambasadoren e SHBA, Nikki Haley, për mikëpritjen. SHBA është një partner strategjik i pazëvendësueshëm për Shqipërinë dhe miqësia jonë është më e fortë se kurrë. Respekt dhe mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të amerikanëve për kombin shqiptar”, shkruan Kadare në foton ku shfaqet në krah të Haley. Edhe Haley ka publikuar foto me një grup ambasadorësh, të cilët i quan të mrekullueshëm dhe ku përveç Kadaresë i pranishëm është edhe ambasadori izraelit në OKB, i cili kundërshtoi ashpër rezolutën. Nikki Haley paralajmëroi për reagim të ashpër ndaj atyre shteteve që votuan rezolutën, megjithatë, ky zhvillim i fundit tregon se Shqipëria nuk ka hyrë në ‘listën e zezë’ të amerikanëve.  

Të fundit