A mund të flasim pak për bujqësinë? - Politiko.al

A mund të flasim pak për bujqësinë?

A mund të flasim pak për bujqësinë?

Gentian Gaba

Duhet ta pranojmë, e kemi bërë të gjithë. Merremi me orë, me ditë me muaj me çështje që zakonisht janë të zhurmshme; bëjnë sensacion, gjenerojnë klikime dhe shikime, dhe, në fund, tregohen një fluskë sapuni për interesin publik.

Flasim publikisht për ato gjëra të përkohshme, që në Shqipëri shndërrohen në të përhershme, por që qëndrojnë larg qytetarit, taksapaguesit, konsumatorit.

Një nga këto është bujqësia. A mund të flasim pak për atë?

Bujqësia është një nga degët e rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Ajo gjeneron 20% të GDP-së (INSTAT, 2015); ndërsa 42.7% e popullsisë në moshë pune, gjallon në zonat rurale (INSTAT 2015). Ndonëse statistikat janë pak të vjetëruara, në vitin e njëzetë e shtatë të tranzicionit, gati gjysma e popullsisë jeton dhe punon në “fshat”; qytetarë që punojnë për të nxjerrë bukën e gojës nga agu e deri në perëndim dhe, fal këtij mundi, japin një kontribut të rëndësishëm në prodhimin e brendshëm të vendit.

Gati gjysma e popullsisë, ose një në dy, e thoni si të doni, janë besnikë ndaj tokës; përpiqen ta bëjnë tokën pjellore me punë, djersë, por ndonjherë edhe me gjak.

Nëse ka patur sektor të “prerë në besë” nga politika e Tiranës, ky ka qenë bujqësia dhe bashkë me të fermeri shqiptar.

Është premtuar shumë, yjet dhe hëna, por sot në shumë zona infrastruktura është në nivele mesjetare; subvencionet janë një lëmoshë që qeveria shpërndan me pikatoren e saj; imputet bujqësore mbajnë sipër peshën e TVSH-së; një zetor në Myzeqe paguan të njëjtin çmim nafte të një veture në qendër të Tiranës; energjinë elektrike fermerët e paguajnë më shtrenjtë se abonentët familjarë; për të mos folur pastaj për devijimin kriminal që mori dy vitet e fundit, me kanabizimin e një pjese të gjerë të zonave rurale.

Në këtë kontekst, gjatë kësaj jave, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, kanë vizituar Fierin, ndërsa kanë inauguruar një sportel unik në shërbim të fermerëve të zonës.

Tashmë, sipas Kryeministrit, fermerët mund të aplikojnë nga këto pika për grante e subvencione; madje shtoi se: “E rëndësishme është që të japim sa më shumë informacion, që ta kenë të qartë që nuk mund të merren më mbështetjet ashtu siç janë marrë. Qëllimi i përbashkët është që të fitojnë fermerët, të fitojë edhe ekonomia dhe e ardhmja”.

Sigurisht, këto janë fjalë të bukura; e bukur ishte edhe godina e ndërtuar për të pritur sportelin unik, sekretaret me këmishat e tyre të bardha dhe me një logo jeshile të qëndisur në krahun e zemrës; të bukura të gjitha këto, por në fund të gjithë kësaj mungon diçka e madhe dhe e rëndësishme: paratë!

Nuk ka! Ose më saktë, nuk duan dhe nuk kanë largpamësinë të hapin kuletën për të vetmin investim, realisht strategjik, për të ardhemen e vendit. Shuma e premtuar për këtë vit në grante dhe subvencione arrin njëzet million euro, një pikë ujë që nuk shuan dot etjen e fermerëve dhe nuk justifikon djersën dhe sakrificën e tyre.

Maqedonia, për të mos kërkuar shembuj në Perëndim, jep njëqind e pesëdhjetë milion euro subvencione në vit, sa për të kuptuar përmasën e shumës dhe qasjeve ndaj bujqësisë për shtete të ngjashme. Këto fonde ulin koston e prodhimit të fermerëve maqedonas, duke i bërë produktet e tyre konukuruese në krahasim me ato që prodhojnë vetëm me forcat e tyre fermerët shqiptarë, prodhimi it ë cilëve kalbet nëpër magazina.

Thënë kjo, Agro Pikat (emri trendy i këtyre qendrave të informimit), duket se kanë një rol të njohur tanimë për stilin e kësaj mazhorance, atë të fasadës. Këto pika ngjajnë si pika uji me Zyrat e Punës, një tjetër gjetje që u faktua shumë shpejt për atë që realisht ishte, “dasëm pa nuse”.

Të jesh i aftë për të prodhuar mirëqenie dhe për të ndërtuar strategji zhvillimore do të thotë të nisësh punën sipas një rendi të caktuar; pra si fillim krijon kushtet për lulëzimin e tregut të punës dhe pasandaj krijon Zyra pune; ose shton shumën në subvencione për fermerët, pastaj krijon Agro Pika.

Ky vizion i përmbysur, të filluarit nga fundi, na ndihmon të kemi të qartë, qysh prej 100 ditëve të para, se asgjë nuk do të ndryshojë; derisa fundi t’i vijë kësaj qeverie; për këtë arsye ka ardhur koha që edhe fermerët të fillojnë të ngrenë zërin.

COMMENTS

error: Content is protected !!