Liroi djalin e Gramoz Ruçit duke hequr akuzën për drogën në makinë, kush është prokurorja e emëruar në Durrës nga Arta Marku? - Politiko.al

Liroi djalin e Gramoz Ruçit duke hequr akuzën për drogën në makinë, kush është prokurorja e emëruar në Durrës nga Arta Marku?

Liroi djalin e Gramoz Ruçit duke hequr akuzën për drogën në makinë, kush është prokurorja e emëruar në Durrës nga Arta Marku?

Prokurorja Donika Prenga në vitin 2012, rrëzoi akuzat për kapjen e djalit të Gramoz Ruçit me drogë në makinë dhe në këtë mënyrë ai mundi që t’i shpëtonte burgut. Sot ajo u emërua kryeprokurore në Durrës nga Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku.

Shkrimi i botuar nga gazeta Panorama në vitin 2012 për këtë ngjarje:

Prokuroria kërkoi detyrim paraqitjeje. Avokatët: Akti i kontrollit, i stisur, u përgatit 5 ditë më parë

Bie akuza për drogën në makinë. Ndalimi cilësohet i paligjshëm Ledio Ruçi, djali i deputetit të PS-së, fiton në sallën e gjyqit lirinë e munguar prej 70 orësh. Ndalimi i tij u quajt i paligjshëm, duke iu hedhur poshtë nga gjykata dyshimi i prokurorisë për akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Trupi gjykues, përfaqësuar nga Kastriot Selita, ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ledio Ruçin dhe urdhëroi lirimin e tij në sallën e gjyqit.

Seanca gjyqësore ndaj 28-vjeçarit Ruçi u zhvillua mesditën e djeshme. Rreth orës 12:00, i riu, ndaluar pasditen e së hënës, pasi në makinën e tij u gjet 1.5 gramë kanabis, ka hyrë i shoqëruar me punonjës të policisë në godinën e Gjykatës. Ai përfaqësohej nga dy avokatë, ndërsa në sallën ku u zhvillua seanca ndodhej i pranishëm vetëm një shok i tij.

Përfaqësuesja e Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela, e ka cilësuar që në fillim të paligjshëm kontrollin e dytë në makinën e Ruçit, por ka pranuar si të ligjshëm ndalimin dhe gjetjen e provave, pikërisht qesen e drogës. Prokurorja është rikthyer dhe një herë në datën 27 janar, kur makina me targa zyrtare e familjes së deputetit, TR 0141 Z, u ndal në një postbllok të policisë së Durrësit. Sipas organit të akuzës, më 27 janar, në këtë makinë u ushtrua kontroll, ku u zbulua një armë sportive me dylbi. Menjëherë u arrestua Lori Kelolli, shoku i drejtuesit të makinës, Ledio Ruçi, ndërsa makina me targa Z u bllokua për mungesë dokumentacioni. Pas tri ditësh, Gjykata e Durrësit e liroi Kelollin, pasi arma rezultoi me leje. Të njëjtën ditë, oficerët e policisë së Durrësit i kanë kërkuar të riut Ruçi që të lëvizte makinën që kishte bllokuar një tjetër mjet në pikën e bllokimit në Shkozet. Sipas prokurores, më 30 janar, në orën 14.00, efektivat të Antidrogës dhe të rendit, në prani të vetë të pandehurit Ruçi, kanë ushtruar një kontroll të dytë në automjet, ku u gjet në cilësinë e provës materiale 1.5 gramë kanabis sativa. Ky kontroll është quajtur i paligjshëm nga ana e prokurores, ndërsa ndaj Ledio Ruçit ngre dyshimin si autor i veprës penale të prodhimit dhe trafikimit të drogës. Megjithatë, ajo kërkoi dje nga trupi gjykues masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ruçin, deri në fund të hetimeve, që sipas saj korrespondojnë me kryerjen e ekspertimit mbi shenjat e gishtave dhe prova të tjera që të provojnë se droga i përkiste atij.

Pas akuzës e morën fjalën dy avokatët mbrojtës, Saimir Visha dhe Arjan Selati, të cilët e quajtën si të pavlefshëm procesverbalin e dytë të mbajtur nga gjashtë efektivat e Policisë së Durrësit, dy prej të cilëve agjentë të Antidrogës. Sipas avokatëve, nga kontrolli i parë, siç rezulton në procesverbal, është gjetur vetëm një armë sportive dhe nuk flitet për asnjë sasi droge. “Automjeti që prej datës 27 janar ka qenë në posedim të policisë, ku Ledio Ruçi nuk kishte akses për ta përdorur, ndaj kontrolli i dytë i ushtruar vetëm pas tri ditësh, në prani edhe të dy agjentëve të Antidrogës, të cilët edhe në kontrollin e parë kanë qenë të pranishëm, nuk është i vlefshëm”, thanë avokatët. Një tjetër fakt që ka shërbyer për të shpallur pavlefshmërinë e kontrollit të dytë ndaj Ruçit ka qenë data e shënuar gabim në procesverbalin e këtij kontrolli. Ai mban datën 25 janar dhe jo 30 janar. Sipas avokatëve urdhër-ndalimi ishte lëshuar pesë ditë para ndalimit të Ledio Ruçit, çka do të thotë se gjithçka ka qenë e stisur. Pas 50 minutash seancë, gjyqtari ka dhënë vendimin e tij, duke rrëzuar në bazë të argumenteve kërkesën e prokurorisë. Ai ka deklaruar se bazuar në Kodin e Procedurës Penale, ndalimi më 30 janar i Ledio Ruçit është i paligjshëm, pasi kontrolli i kryer në makinë më 27 janar nuk kishte gjetur asgjë ilegale. Në këtë mënyrë u urdhërua lirimi i tij në sallën e gjyqit. Sapo ka mbaruar fjalën gjyqtari, Ruçi është lënë i lirë të dalë nga gjykata dhe të kthehet në Tiranë pas rreth 3 ditë izolimi.

Flet Ledio Ruçi: Akuzat, për të njollosur babanë tim

Ledian Ruçi, në sallën e gjyqit dhe menjëherë pas lirimit, ka deklaruar se kjo ngjarje ka dëmtuar imazhin e familjes së tij dhe se çdo gjë është inskenuar më parë. “Gjatë rrugës nga Gjirokastra e deri në Durrës nuk kam parë të më ketë bërë shenjë për të ndaluar asnjë punonjës i Policisë së Qarkullimit, përveç postbllokut të ngritur në Plepa. Nuk është aspak e vërtetë që nuk kam respektuar policinë. Të gjitha akuzat e ngritura kundër meje janë të pavërteta. Kërkojnë që të njollosin emrin tim dhe të familjes sime duke hedhur baltë dhe stisur gjëra të paqena. Akuzat e ngritura kundër meje janë të gjitha të stisura. Akuza e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike bëhet vetëm për të njollosur emrin e tij personal dhe të familjes Ruçi”.

Kështu ka deklaruar Ledian Ruçi disa sekonda pasi gjyqtari i çështjes, Kastriot Selita, i ka komunikuar vendimin se ishte i lirë. Ledian Ruçi, djali i kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, nuk ka pranuar se Policia e Gjirokastrës i ka dhënë shenjë për ndalim gjatë kohës që ky i fundit po udhëtonte në drejtim të Tiranës me mjetin me targa zyrtare TR 0141 Z. Ndërkaq, po në dëshminë tij para trupit gjykues, 28-vjeçari sqaron se akuza e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike bëhet vetëm për të njollosur emrin e tij personal dhe të familjes Ruçi. Në asnjë moment, Ruçi nuk ka pranuar se lënda narkotike ka qenë e tij. Ai ka folur dje në sallën e gjyqit, duke dhënë variantin e tij për ngjarjen që solli ndalimin dhe më pas kanë dhënë variantin e tyre dy avokatët mbrojtës, duke u bazuar në prova dhe ligjshmërinë e ndalimit.

Procesverbali që ndaloi dhe liroi Ledio Ruçin

Një shkresë e gatshme në kompjuter, së cilës gabimisht nuk i është ndryshuar data e kreut, ka qenë një gur i fortë i avokatëve mbrojtës të Ledio Ruçit dje në sallën e gjyqit. Procesverbali i firmosur nga oficeri i Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Policisë Durrës, për kontrollin në makinën me targa zyrtare, TR 0141 Z, në krye të tij shënon se: ai ka marrë njoftimin për ngjarjen e ndodhur në Durrës, viti 2012, muaji janar, data 25, ora 02:45. Më tej, oficeri ka vazhduar konkretisht, duke qenë i saktë në zgjedhjen e datës, pikërisht 30 janar, që korrespondon me ditën e kontrollit të dytë.

Sipas tij, kontrolli i ushtruar në derën anësore të shoferit zbuloi një qese farmacie me bimë që ngjasonte me kanabis.

Gjithashtu deklarohet sekuestrimi i makinës, që rezulton ende pronë e shtetit. Aktualisht, për mungesë dokumentacioni, makina e familjes Ruçi ndodhet ende në pikën e bllokimit.

COMMENTS

error: Content is protected !!