Dritat e fikura të ‘Rilindjes Urbane’ - Politiko.al

Dritat e fikura të ‘Rilindjes Urbane’

Dritat e fikura të ‘Rilindjes Urbane’

Frano Kulli

Për palmat e thara në superstradën Tiranë-Durrës prej dimrit të shkuar , me të vërtetë të egër, me të ftohtë e akull që zgjati më shumë se tre javë, tani nuk flitet më.

Edhe pse u patën shpenzuar shumë para për to e projekti pati qenë  mjaft i qortuar që në nisje.Askush nuk dëmshpërbleu, askush nuk u dënua , madje askush nuk kërkoj ndjesë tek paredhënësit (taksapaguesit). Qe projekt i qortuar së pari si një përparësis e zgjedhur gabim.A ishte vërtet vargu me palma  në të dy anët e superstradës, që më së paku “hëngri” dy korsi  të rrugës, duke i ndryshuar asaj edhe statusin nga autostradë në superstradë  , gjëja e duhur që duhej zgjedhur të bëhej e para ? Dhe…a ishin palmat pema e duhur dekorative për atë areal, përtej  zgjedhjes disenjuese ? Po ja  që dimri i vjetshëm i dha të drejtë qortuesve.

 Dhe aspak atij që gjithçka e kish marrë përsipër vetë, kryeministrit triumfator të njëmijë shuplakave, në mandatin e tij të parë kryeministror, të inkuadruar në projektin e tij -metaforë:”Rilindja urbane”.

 Palmat qenë të parat që u thanë, në këtë segment-arterie kryesore  e projektit rilindas. Por , ja që  ka kaluar gjysma e vitit që edhe dritat e rrugës janë fikur e nuk ndizen, ndriçimi i kompozuar edhe ai sipas shijes me sqimë kryeministrore  është shuar  dhe kështu… Arteria kryesore urbane e rilindjes është “çarë” e  rilindja është në koma.

E megjithatë, në  rrokopujën  shqiptare të lajmeve, kur kanë ngjarë  të zeza të tjera më të mëdha, kur vendi është kanabizuar cep e në cep, kur qetësia dhe rendi publik ka marrë një krisje të fortë qyshse një Ministër Rendi  është nën akuzën e rëndë të lidhjes së dyshuar me trafikun e narkotikëve, kur trupat gjyqësore dhe krejt pallati i  drejtësisë kanë rënë në kuotat e nivelit më ulët të besueshmërisë së publikut, kur e gjithë klasa politike   gjithashtu qarkohet nga mosbesimi e mosrespekti deri në neveri  e përditë vijojnë të dalin skandale në radhë , njerëzia si e dehur “harron” se ekonomia e tij  shkon përditë për dhjamë qeni.

Herë në formën e projekteve të dështuara si Rilindja urbane e shpesh në formën e konçensioneve në “dobi” të shendetsisë falas, që e gërryejnë me korrupsionin galopant, të pakrahasueshëm me asnjërin prej vendeve  përreth e më përtej.

Qeveria shqiptare dhe krejt shumica politike, që më shumti funksionon si një detashment agjipropi, ka synuar dhe ia ka dalë që ta hallakasë vemendjen publike në gjithfarë kahjesh dhe ta largojë atë nga e përditëshmja qytetëse, nga ekonomia dhe cilësia e jetës, e cila dukshëm bie përditë. Portreti i kryebashkiakut të kryeqytetit, vizatohet përditë e disa herë në ditë, rrugë më rrugë e cep më cep të të gjithë asaj sipërfaqes çfarë qarkon Kryebashkinë e vendit, si të ishte duke udhëhequr vetë “Planin Marshall” të pasluftës së dytë. E  megjithatë, në vend që bashkëqytetasit ta pështyjnë fallsitetin e neveritshëm të portretit të “kllounit”, ai prap shihet e shihet prapë,përtej cipës së rënë të ekraneve të  shplara. Dhe duket se të dy palët së bashku “i ftuari” dhe ata që i bëjnë hosana,kontribuojnë shumë e përditë për shplarjen e trurit të njerëzisë këtu.

Kurrë në një vend normal kjo nuk ndodh e nuk mund të ndodhë.Po kjo ndodh tek ne se ata “gjejnë shesh e bëjnë përshesh”, siç thotë një fjala jonë e urtë. Ata e dinë mirë se ne , të sunduarit prej tyre jemi gati të bisedojmë  e të “kjajmë hallin e Inglizit në klubin e Mamurrasit…”, siç shkruante Fishta më shumë se tetëdhjetë vjet më parë, kur njerëzia këtu ishte më se 90% analfabete e mizerja ishte kryezonjë. Po pak ka ndryshuar mendësia qysh atëherë…A nuk zgjati me javë debati publik për votën  e qeverisë sonë në OKB për  Rezolutën  e SHBA-së.Këta mjeshtrat e agjipropit e ndollën në atë hulli opinionin publik, sa thua me të vërtetë ky ishte halli më i madh i shqiptarëve. Ani pse vetë vota e tyre , vota e qytetarit për të zgjedhë përfaqësinë e vet , së cilës më pas i besohet jeta publike….., që atje në Amerikë e në vendet normale demokratike është ajo që ndërton shtetin, këtu është shvleftësuar  sa një…thes miell. Po halli ynë, i ne “pijetarëve të klubit të Mamurrasit” prap është halli i Amerikës a i Inglizit…!? Se për hallet tona, ska dert…

COMMENTS

error: Content is protected !!