Flash News

KRYESORE

Djegia e mandateve, një deputet i PD mbështet propozimin e Berishës: Bojkoti i Kuvendit e dëmton PD

Përpara se të vendosej për datën e protestës, kreu i PD-së, Lulzim Basha, diskutoi me Grupin Parlamentar marrëdhënien që demokratët do të mbajnë me Parlamentin, seanca e parë e të cilit është më 15 janar. Burime nga takimi me dyer të mbyllura konfirmojnë për ‘Panoramën’ se Basha u ka deklaruar deputetëve të tij se të gjitha opsionet për marrëdhënien me Parlamentin janë të hapura duke nisur që nga bojkoti i Parlamentit dhe deri te djegia e mandateve parlamentare.

Të njëjtat burime sqarojnë se, gjatë diskutimeve në Grupin Parlamentar, deputeti i PD Eduard Halimi ka theksuar se nëse opozita do të jetë mes alternativës së bojkotit parlamentar dhe djegies së mandateve, të mbështesë propozimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Nëse në diskutim janë opsionet për bojkot apo djegie të mandateve, unë personalisht do të isha për opsionin e propozuar nga doktor Berisha, që është ai për djegien e mandateve. Ato që ndodhën në Parlament, me bllokimin e foltores kur do të fliste Berisha dhe kapjen e drejtësisë me zgjedhjen e një kryeprokurori të njëanshëm, ishin padyshim ngjarje të rënda. Por një bojkot do të ishte i dëmshëm për PD. Bojkoti që mund t’i bëhet reformës në drejtësi është i dëmshëm pasi e favorizon kundërshtarin, duke ia lënë atij tërësisht rrugën të lirë për kapjen e plotë të drejtësisë”, mësohet të ketë deklaruar Halimi.

Kreu i opozitës, Basha, ka konfirmuar se PD do të marrë pjesë në seancën e 15 janarit për të bërë aksionin, ndërkohë që protesta e 27 janarit do të jetë përcaktuese për qëndrimin që do të mbajë në raport me Parlamentin.

Të fundit