Tensionohet situata, protesta të dhunshme në Bregun Perëndimor: Luftë deri në vdekje Amerikës

Tensionohet situata, protesta të dhunshme në Bregun Perëndimor: Luftë deri në vdekje Amerikës

Një gazetë pro lëvizjes islamike Hezbollah në Liban i ka deklaruar “luftë deri në vdekje Amerikës” në faqen e parë të saj, ku shfaqet edhe një foto me flamurin amerikan duke u djegur, një ditë pasi Donald Trump njohu zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Presidenti amerikan shkaktoi irritim anembanë Lindjes së Mesme me njoftimin e një dite më parë, që përbën edhe një ndryshim drastik të politikës disa dekadëshe amerikane kundrejt Jeruzalemit.

Gazeta libaneze “al-Akhbar” e quan sot vendimin “Balfurin e ri të Amerikës”, duke iu referuar “Deklaratës së Balfurit”, në të cilën Britania e Madhe përcaktonte ngritjen e një shteti për hebrenjtë në Lindjen e Mesme thuajse një shekull më parë.

“Sot në Palestinë ekziston një rezistencë e aftë dhe e fuqizuar që zotëron mijëra raketa që mund të godasin Tel Avivin”, thuhet më tej në artikull. Hezbollahu, një organizatë e armatosur rëndë ushtarake dhe politike, ka luftuar përgjatë vitesh disa herë ndaj Izraelit, që prej krijimit të saj në vitin 1982.

Protesta spontane nisën në Rripin e Gazës gjatë orëve të natës së djeshme, me disa të rinj të irrituar që digjnin goma makinash, flamuj amerikanë dhe izraelitë, si dhe postera të Trumpit, ndërsa frika sa vjen e rritet për gjakderdhje të reja në rajonin e trazuar.

Ushtria izraelite ka njoftuar se do të dërgojë disa batalione në Bregun Perëndimor përpara së premtes, ndërsa trupa të tjera ushtarake do të jenë në gatishmëri për të adresuar “çdo zhvillim të mundshëm”.

E ndërsa ushtria izraelite njoftoi dislokimin e trupave shtesë në Bregun Perëndimor, protesta masive kanë shpërthyer në territorin palestinez në kundërpërgjigje të lëvizjes së fundit të Trumpit. Palestinezët nisën greva në të gjithë Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës që prej së enjtes, ndërsa këtë të premte, pas lutjeve të mesditës kanë nisur edhe protesta të dhunshme. (Top Channel)

COMMENTS

error: Content is protected !!