Të mbrosh lirinë nga liberalët

Të mbrosh lirinë nga liberalët

(Replikë me kolegun Alfred Lela)

 

Klodian Tomorri

Ronald Reagan, për të cilin amerikanët thonë se ka qenë Presidenti më i madh i të gjitha kohërave në SHBA, dikur ka thënë: Liria është vetëm një brez larg zhdukjes.

Në fakt, që në ditët e para te jetës në tokë, liria ka qenë gjithmonë nën kërcënim. Por askush më parë si Reagani, nuk kishte identifikuar më mirë uzurpatorin më të madh të saj: qeverinë.

Nga vetë natyra, qeveritë janë organizma korrozive. Ato gërryejnë çdo ditë lirinë e individit duke përdorur fuqinë e ligjit. Dhe është pikërisht kjo fuqi që i bën ato, armikun më të madh të lirisë.

Jo më kot, Frederic Bastiat, një nga mendjet më brilante që ka ekzistuar në tokë, dikur në mënyrë të famshme do të thoshte: Nga të gjitha format e grabitjes, ajo me ligj është më e rënda, më perversja dhe më e pamoralshmja.

Përmes një editoriali në portalin që drejton, kolegu Alfred Lela, i referohet gjerësisht një qëndrimit tim kundër sigurimit të detyrueshëm të pronës, për të argumentuar të kundërtën. Atë se nisma e lajmëruar nga qeveria për t’i detyruar me forcën e ligjit qytetaret dhe bizneset të sigurojnë pronat nga fatkeqësitë është një zgjidhje e mirë.

Debati për sigurimin e detyrueshëm të pronave në Shqipëri vjen në një kohe kur e djathta ne SHBA po përpiqet të demontojë një ligj të ngjashëm, të famshmen Obamacare.

Edhe pse sigurimi i detyrueshëm i shëndetit, ka shumë më tepër baza morale dhe logjike, se sa ai i pronës, konservatorët e kundërshtojnë atë si një uzurpim të pastër të lirisë së individit nga qeveria.

Dy vjet më parë, kur Obamacare u sfidua në Gjykatën Supreme të SHBA, i ndjeri Antonin Scalia, gjykatës legjendar me bindje të shpallura konservatore, pyeti përfaqësuesin e qeverisë që Obama kishte çuar për të mbrojtur ligjin: Nëse ne e lejojmë qeverinë të na detyrojë të blejmë sigurim për shëndetin, çfarë do ta pengojë atë që nesër kur shkojmë në supermarket, të na detyrojë të blejmë brokoli dhe jo mish?

Kjo ishte pyetja e cila goditi në themel moralin e reformës, jo vetëm në gjykatë, por edhe në sytë e amerikanëve.

Ajo që kolegu Lela përpiqet ta cilësojë si zgjidhje liberale, në fakt është antipodi ekstrem i liberalizmit, dhunimi i lirisë ekonomike. Kur qeveria detyron qytetarët të blejnë një mall apo shërbim kundër vullnetit të tyre, po i grabit me ligj. Por kur këtë e bën në përfitim të një grushti kompanish, kjo është kapje e shtetit.

Tregjet nuk ngrihen mbi themelet e forcës koercive të ligjit. Ato janë rezultat i transaksioneve me vullnet të lirë. Kjo është pjesa parimore. Por, edhe në këtë rast djalli fshihet në detaje.

Në tre vitet e fundit dëmi maksimal i përmbytjeve dhe gjithë fatkeqësive të tjera natyrore në Shqipëri ka qenë më pak se 10 milionë euro. Për të njëjtën periudhë sipas nismës së qeverisë, qytetarët do të duhet të kishin paguar të paktën 150 milionë euro për kompanitë e sigurimit.

Kjo është çështja. Kush e përfiton diferencën?

Në çdo skenar, qytetarëve u bie shumë herë më lirë që të paguajnë koston solidare të përmbytjeve përmes buxhetit se sa koston korruptive të imponuar me ligj që kalon në konto private. Të paktën deri në ditën kur kompanitë e sigurimit do të pushojnë së lobuari për të përfituar para me ligj dhe do të fillojnë të ofrojnë me të vërtetë shërbime sigurimi.

COMMENTS

error: Content is protected !!