A mund të dezertojë një komb?

A mund të dezertojë një komb?

Nga Akil Kraja

Dje ishin disa ushtarë gjatë një trajnimi në Angli, sot janë disa mjekë të urgjencës Tiranë. Në të dyja rastet këta individë shkelin një betim solemn, humanist e me një simbolikë tejet të fortë. Ata dezertojnë, pasi janë betuar që përballë një beteje apo sëmundje, ata do të vendosnin gjithmonë shërbimin ndaj bashkëkombësve përpara interesit vetjak. Me largimin e tyre ata shkelin, fjalë për fjalë, një betim për jetë a vdekje.

Por në fakt para tyre dhe gjatë dy viteve të fundit, janë mbi 100.000 azilantë shqiptarë që ndërmorën hapin e largimit. 250.000 të tjerë luten çdo ditë që të përzgjidhen nga një kompjuter në SHBA. Ata janë ushtarë, mjekë, inxhinierë, të rinj e të moshuar, të papunë por dhe profesionistë nga më të mirët… ata përfaqësojnë kombin shqiptar.

Por a mundet vallë që shteti shqiptar – kazermat, spitalet, shkollat e sipërmarrjet e tij – të dezertohen masivisht nga një komb i tërë?

Ka dy qasje ndaj përkufizimit sesi lind një shtet kombëtar. E para, ajo gjermanike, e cila e sheh bashkimin e individëve duke u nisur nga një linjë gjaku, fetare dhe kulturore të përbashkët. Në këtë variant, kombi paraprin shtetin. E dyta, ajo franceze, bazohet në bashkimin rreth një të shkuare të përbashkët dhe një projekti për ta vazhduar atë në të ardhmen. Në këtë variant, shteti paraprin kombin. Qasja e parë është etnike, qasja e dytë politiko-ekonomike. Që një shtet kombëtar të ekzistojë duhet në çdo rast të ekzistojë një arsye që ta mbajë atë të bashkuar përballë sfidave të historisë.

Sot përgjigja ndaj pyetjes se çfarë i bashkon shqiptarët nën një shtet kombëtar të përbashkët është tejet e vështirë.

Për vite me rradhë ekzistenca e një populli unik – qasja etnike, uniciteti i gjuhës dhe trashëgimia kulturore – ka qënë justifikimi kryesor i kërkesës për pavarësim dhe ndërtimin e një shteti kombëtar shqiptar. Por kjo nuk është më një e vërtetë absolute.

Ndërkohë që para vitit 1912, kishim kombin por jo shtetin, pas kësaj date e deri në vitet `90 arritëm të krijonim vetëm gjysmën e një shteti kombëtar. Një pjesë e mirë e kombit mbeti jashtë kufijve shtetërorë. Kjo qasje etnike duket se dështoi më tej me krijimin e shtetit Kosovar sipas qasjes politiko-ekonomike. Shteti i ri Kosovar u krijua nën justifikimin e një të shkuare të përbashkët nën Jugosllavi, dhe të një projekti shteti multi-etnik të ardhshëm.

Shekulli i 21-të ka trokitur tashmë dhe ekzistenca e shtetit kombëtar shqiptar nuk mund të bazohet më ekskluzivisht në qasjen etnike të tij: jashtë kufijve sot gjenden 2.5 milionë shqiptarë kosovarë, 500.000 shqiptarë maqedonas por dhe 500.000 shqiptarë italiane, po kaq shqiptarë grekë e me qindra mijëra te tjerë me shtetësi nga më të ndryshmet…

Shumë prej tyre kanë lindur matanë kufirit të shtetit kombëtar. Ata janë shqiptarë por dhe gjermanë apo italianë. Në këto kushte, a mund të mjaftojë vetëm kriteri gjuhësor e kulturor që t’a mbajë një komb bashkë? Nëse mjaftohemi vetëm me një kriter të tillë, atëherë mbase duhet të pranojmë nga ana tjetër që te gjithë shqiptarët e integruar kulturalisht në Greqi, në veçanti brezi i dytë e i tretë post-90, mund të jetë pjesë e etnisë greke në Shqipëri… ? Pyete provokuese? Por nëse kriteri gjuhësor e kulturor është realisht i mjaftueshëm për të justifikuar ekzistencën e një shteti kombëtar shqiptar, si t’i shpjegojmë fërkimet e herë pas hershme qe ekzistojnë mes dy shteteve Kosovar e Shqiptar?

Mobiliteti ekstrem, hapja kulturore, emigrimi me breza dhe globalizimi ne tërësi përben një sfide madhore për çdo shtet kombëtar perëndimor. Diku është Brexit, diku është MAGA, diku është futja e populizmit në parlamente, ndërkohë diku tjetër është një fatalizëm kombëtar si në Spanjë së fundmi…

Në këtë kontekst nevojitet të kalojmë në qasjen e dytë, atë politiko-ekonomike sipas së cilës etnia nuk mjafton që ta mbajë të bashkuar shtetin kombëtar shqiptar. Përtej etnisë, nevojitet gjithashtu kriteri i një të shkuare të përbashkët që i shtohet një projekti konkret për t’a ripërtëritur atë në një të ardhme sërisht të përbashkët.

Ndërsa e shkuara e përbashkët mund të përmblidhet, keq apo mirë, në 25 vite ecejake republikane monarshiste, 50 vite komunizëm dhe 25 vite tranzicion – projekti për të ardhmen e shtetit kombëtar shqiptar është tërësisht inekzistent !

Nga këtu buron dhe dezertimi apo shkelja e betimit suprem të ushtarëve dhe mjekëve shqiptarë, si dhe uniciteti i këtij eksodi të fundit krahasuar me atë te viteve `90 (arratisje nga uria) e `97 (arratisje nga lufta).

Sot shqiptarët po largohen pasi ata nuk e shohin projeksionin e vetvetes ekskluzivisht si pjesë e shtetit kombëtar shqiptar. Shteti kombëtar nuk ofron asgjë me shumë sesa shteti i huaj perëndimor i cili nën petkun e multi-kulturalizmit, ka arritur t’i integrojë emigrantët shqiptarët duke u ofruar jo vetëm punë e asistencë sociale, por dhe mbështetje që të mbrojnë “identitetin” kulturor të tyre (mundësimi i shkollave shqipe, qëndrave kulturore por dhe të xhamive apo kishave shqiptare…).

Në kohët moderne, ekzistenca e një te shkuare kombëtare nuk mjafton për të ndërtuar një të ardhme serish të përbashkët.

Shqipëria, po kalon një tragjedi kombëtare, një dezertim kombëtar të mirëfilltë. Cilën te ardhme premton pushteti? Cilit projekt po i shërbejnë intelektualet? Çfarë ëndrre po na paraqesin artistët? Çfarë projektesh po skicojnë inxhinierët?

Shteti shqiptar po dështon dhe bashkë me të, ekziston rreziku që të dështojë dhe kombi shqiptar. Arsyet qe justifikojnë ekzistencën e vetë shtetit po zvogëlohen dita ditës.

Monopoli i forcës publike? Shumëfishim i policive private, shkatërrim total i besimit ndaj forcave të rendit. Sigurim i kufijve? Paaftësi për t mbrojtur popullatat nga shiu e lerë pastaj nga armiku pa tanke e asnjë avion. Sigurimi i jetës? Mjekët po dezertojnë pikërisht se spitali publik po falimenton. Arsimimi i detyrueshëm? Reformat e njëpasnjëshme duket sikur j’a kanë ulur dhe më tej vlerën e diplomës së shkollave e universiteteve private apo publike shqiptare. Menaxhimi i pasurive kombëtare? Nafta e mineralet eksportohen pa asnjë vlerë të shtuar, uji na përmbyt, ndërkohë malet digjen dimrit e pyjet priten verës…

Ndaj ushtarët dezertojnë ashtu si dhe mjekët e çdo shqiptar që ka mundësi të largohet nga shteti amë. Investimet në fasada e palma, ashtu si dhe paraja e shpejtë e kanabisit, nuk mjaftojnë për të siguruar minimumin jetik të kohezionit kombëtar. Sot shteti kombëtar shqiptar duket sikur nuk paraqet arsye të mjaftueshme për të justifikuar ekzistencën e tij dhe në të ardhmen.

E shkuara pa të ardhme nuk mjafton. Një aksiome e vlefshme për çdo çift, familje apo komb.

Ushtari shqiptar nuk mund të japë jetën ne emër të Skënderbeut, që në të ardhmen Saimir Tahiri e farefisi i tij t’i gëzojnë kursimet e tyre në gjëndje të lirë. Mjeku shqiptar nuk mund të sakrifikojë familjen e tij në emër të Nënë Terezës, që Vilma Nushi e check-upit shëndetësor të vazhdojë të shesë cigare ku shkruhet “duhani vret”. I riu shqiptar nuk mund të sakrifikojë të ardhmen e tij në emër të Naim Frashërit e “maleve të Shqipërise e lisave të gjatë, të fushave të gjëra me lule e lumenjve të kulluar…” në një kohë kur Kryebashkiaku i Tiranës ka pakt me mafien e plehrave.

Shqipëria ka nevojë për një vizion, një alternativë, një “raison d’être” për shekullin e 21-të. Nëse bashkimi me Kosovën është i pamundur, si një kapitull përmbyllës historik natyral, e vetmja alternativë mbetet ndërtimi i një Republike të Re ku sovraniteti politik i kthehet realisht ushtarit, mjekut dhe çdo qytetari shqiptar që paguan taksa për ketë vend, qoftë ai në diasporë apo në katundin më të largët të trojeve shqiptare.

Shqiptarët po dezertojnë shtetin e Republikës së vjetër, jo kombin. Beteja për një Republikë të Re duhet të vazhdojë me çdo kusht, përndryshe do të mbetemi në kurthin e mos-zhvillimit të një shteti kombëtar të dështuar.

COMMENTS

error: Content is protected !!