Flash News

KRYESORE

Llalla land

Llalla land

Alfred Lela

Një Ambasador, ndër kryesorët e përfaqësive të huaja në Tiranë, është shprehur në një darkë jozyrtare, se faji për mosarrestimin e Klement Balilit, sipas tij, bie 50 përqind mbi Saimir Tahirin dhe 50 përqind mbi Adriatik LLallën.

Kjo fjali e lëshuar me lehtësinë që kanë darkat përtace dhe të çlirëta off record, na shërben një hyrje shumë të mirë në territoret me trajta të shfytyruara të debatit politik sa i takon zgjedhjes së Kryeprokurorit të përkohshëm që do të zëvendësojë Adriatik Llalën, të cilit i ka përfunduar mandati para pak ditësh. Për faktin se jep një sentiment të ndërkombëtarëve në lidhje me Kryeprokurorin në ikje.

Ata nuk e duan. Nuk kanë kurrëkund të njëjtën stimë që kishin për një tjetër faithfully departed, të piektuar dhe të zgjedhur nga dora e Berishës, Visho Ajazi Lika. Me partneritet, korrektesë, përunjësi, quajeni si të doni, z. Lika u transferua në një detyrë tjetër të rëndësishme, duke arritur të marrë për këtë miratimin e Ramës, por edhe mbështetjen ndërkombëtare, posaçërisht amerikane.

Llalla nuk është në të njëjtat pozita.

Qeveria në detyrë nuk e do, partnerët ndërkombëtarë aq më pak dhe sondazhet e tregojnë gjithashtu të padashur. 'Mbështetja' që i jep opozita është një perde mjegullash iluzore. Partia Demokratike dhe shefi i saj, duket se janë zënë në çarkun e poshtër të mosalternativës.

Kryeprokurori është i vetëm para një stuhie dhe, sigurisht, opozita nuk mund të luajë rolin e budallaqes dhe të dalë në mbrojtje një zyrtari i cili nuk çertifikohet as në publik, dhe as në opinione apo vendimmarrje të tjera. Aq më i rrallë bëhet ajri i një vendimi për të qenë, po të kesh parasysh se nëse nuk zgjedh Llallën, të pret një dhallë tjetër me të tjera besnikëri, në kosin e bërë det të politikës shqiptare.

Zgjedhja me shumicë të thjeshtë, do të thotë me 36 vota, të dala nga vullneti një mazhorance që ka kredite edhe më pak se Llalla, aq sa ç'është çark dhe shqetësim i opozitës, duhet të jetë edhe i Ambasadorit amerikan dhe partnerëve të tjerë të huaj.

Të gjithëve u duhet të zgjedhin mes parimit dhe individit. Individi, trupëzuar në këtë rast në Kryeprokurorin e Republikës Llalla, nuk është i duhuri. Ama, aq më pak i tillë është parimi, që mazhoranca don të fusë në punë të hënën, duke zgjedhur një Kryeprokuror krejtësisht të sajin, krejtësisht të paragjykuar, krejtësisht kundërproduktiv sa u ta kon proceseve të brendshme, politike, dhe të jashtme, të integrimit.

Askush të mos harrojë: E sotmja është një mazhorancë në menaxhim krize dhe jo në qeverisje. Një Kryeprokuror i dizajnit të saj, si punë të parë do të kishte pengimin e hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri. Pengesa, jo vetëm të hetimeve të brendshme, por edhe atyre që janë në rrugë e sipër në Itali.

 Llalla është një kryeprokuror i keq i së shkuarës, një prej atyre që prodhuan nevojën e vetingut dhe të reformës. Nëse në themelet e të dyjave hidhet mungesa e besimit të një prokurori tjetër të njërës palë, ajo ngrehinë nuk do të mbajë.

Të fundit