Flash News

KRYESORE

Bota reagon kundër Trump për ambasadën në Jerusalem. Erdogan: Do ndërpresim marrëdhëniet me Izraelin. Kundër Mogherini dhe Macron

Bota reagon kundër Trump për ambasadën në Jerusalem.

Shtetet në mbarë botën po reagojnë kundër vendimit të paralajmëruar nga presidenti Donald Trump, për të zhvendosur ambasadën e SHBA-së nga Tel Avivi në Jerusalem, duke njohur qytetin e shenjtë si kryeqytet të Izraelit.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se Jerusalemi është një ‘linjë e kuqe’ për myslimanët dhe ka paralajmëruar se vendi i tij mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin nëse një veprim i tillë ndodh.

“Zoti Trump, Jerusalemi është një linjë e kuqe për myslimanët. Ju nuk mund ta ndërmerrni një hap të tillë. Nëse e ndërmerrni, ne do të organizojmë një samit të bashkëpunimit të myslimanëve në Stamboll”, ka deklaruar Erdogan.

Kundër një vendimi të tillë është shprehur edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ka zhvilluar një bisedë telefonike me Trump për këtë çështje. Macron i ka thënë Trump se zhvendosja e ambasadës nuk do ndihmonte procesin e paqes në rajon.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Jordanisë, me të cilin kanë diskutuar për këtë zhvillim. Mogherini ka theksuar se nëse Trump ndërmerr këtë veprim, do të kishte pasoja për të gjithë rajonin dhe do shkaktonte reagime në të gjithë botën.

Ndërkohë, presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas ka paralajmëruar se do të ndërpresë marrëdhëniet me Uashingtonin nëse ambasada zhvendoset në Jerusalem.

Kundër një vendimi të tillë janë pozicionuar gjithashtu Egjipti, Arabia Saudite dhe shumica e shteteve myslimane.

Izreali pretendon se Jerusalemi është kryeqytet i tij, pas fitores në luftën e vitit 1967 kundër Egjiptit, Sirisë dhe Jordanisë. Nga ana tjetër, palestinezët e njohin Jerusalemin Lindor si pjesë të shtetit të tyre dhe kryeqyteti që do të njihet kur vendi të bëhet anëtar me të drejta të plota në OKB.

Statusi i Jerusalemit mbetet një nga pikat më të nxehta në konfliktin Izrael-Palestinë, për shkak të rëndësisë historike dhe fetare që ky qytet ka.

Cavusoglu nga Tirana: Vendosja e ambasadës amerikane në Jerusalem do sjellë kaos në rajon

Të fundit