Ata që lexojnë, dhe janë të njohur, zgjedhin këta libra si më të mirët e 2017... - Politiko.al

Ata që lexojnë, dhe janë të njohur, zgjedhin këta libra si më të mirët e 2017…

Ata që lexojnë, dhe janë të njohur, zgjedhin këta libra si më të mirët e 2017…

Mes morisë së librave të botuara përgjatë vitit 2017, është e vështirë të zgjedhësh më të mirët. Këtë e kanë pohuar dhe personazhet që ne të Politiko.al kemi zgjedhur për të dhënë vlerësimet për ‘Librin më të mirë të vitit’.

Të përzgjedhurit tanë kanë dhënë një titull (ose dy) të cilin e konsiderojnë si më të mirin e vitit që lamë pas duke komentuar shkurtimisht zgjedhjen e tyre

 

Preç Zogaj, poet 

“Mbi heronjtë dhe varret”, Ernesto Sabato

Sipas meje, libri më i mire në prozë, botuar në shqip në vitin 2017 është romani  “Mbi heronjtë dhe varret” i Ernesto Sabatos, botuar nga Pika pa Sipërfaqe. Një  sagë e shkruar me mjeshtëri të jashtëzakonshme, një roman epik, neoklasik, ku fatet njerëzore dhe historia e Argjentinës në periudhën e trazuar të ngjizjes së pavarësisë së saj plazmohen dhe plazmojnë njëra-tjetrën në një dinamikë që vetëm Letërsia e madhe mund ta pasqyrojë.

 

 Arta MARKU, gazetare

“Kokoro”, Natsume Soseki

Kryevepra 2017, në këndvështrimin tim është KOKORO. Është padyshim libri më i mirë që kam lexuar përgjatë këtij viti. Më i miri, për atë që rrëfehet, për zbulimet që të ndihmon të bësh, për analizat nëpër të cilat të udhëheq… por edhe për mënyrën se si rrëfehet. Tek e fundit autori është një shkrimtar i madh, i përjetshëm, sikurse Natsume Soseki.
Diku, shkrimtari shqiptar, Agron Tufa shkruan: “Nëse leximi i një vepre letrare shndërrohet nga kënaqësi në barrë, atëherë, si çdo barrë e meriton të hiqet qafe. Sepse leximi është festë, jo torturë. Ka asi festash mbresëlënëse që të rrënqethin…”. Sadoqë Tufa ia ka atribuuar këto fjalë leximit të një tjetër vepre, unë mendoj se i qëndrojnë pikë për pikë, të njëjtat fjalë edhe KOKOROS së Natsume sosekit. Merret me mend se nuk kemi të bëjmë me një festë në kuptimin e haresë, por të kënaqësisë së leximit, të shijes që merr, të depërtimit në thellësi, të gëlltitjes të vëmendjes, të të gjithë përqendrimit tënd…
KOKORO është një histori që të hyn në mënyrë të pandjeshme nëpër vena dhe të lëvrin me gjakun. Është leksioni i mjeshtrit – senesit për nxënësin. Ky i fundit ka nevojë të mësojë. I pari ka ç’t’i ofrojë. Dhe i ofron përvojën e vet. Një përvojë e jashtëzakonshme. Një leksion jete që ka vlerë absolutisht për të gjithë, në çdo vend e në çdo kohë.
Kokoro na i ndez ngadalë, një e nga një, dritat e errësirës së qenies, duke zbuluar THELBIN, apo zemrën e gjërave, duke na zbuluar KOKORON.
 

Agron Gjekmarkaj, pedagog i Letërsisë

“Letra grues seme të vdekun”, Gjovalin Gjadri

“Letra grues seme të vdekun” i inxhinierit Gjovalin Gjadri. Një përkthim i spikatur i Ardian Ndrecës nga gjermanishtja, për herë të parë i plotë, në gegërisht. Ky libër është rasti kur kujtesa shndërrohet në Letërsi dhe Letërsia në shpëtim. Një histori dashurie që nuk e pranon vdekjen, ku bashkëbisedimi burrë-grua vazhdon intensiv, pa e pranuar kurrë atë si pengesë, por pa e injoruar si fakt. Letrat e Gjadrit janë unike në Letërsinë shqipe; me to ai shpëton shpirtin e tij dhe rrëfen një dashuri të pakohë, ndryshe nga ‘vuajtjet e djaloshit Verter’ të Gëtes për të cilat me dhjetëra vetë vrasin veten. Gjadri, në një lidhje me Mejreme Toptanin, mes sfidash dhe paragjykimesh dëshmon një sërë frakturash që ka pësuar historia e qytetërimit shqiptar, por edhe epërsitë e saj, njëkohësisht. Ato letra nuk janë sentimentalizëm banal, por një monument madhështor i dashurisë së shndërruar në kujtesë, i kujtesës që rrëfen me një dashuri si ngrehinë teologjike e filozofike, një mbërthesë kjo që konturon më të bukurën konfesionare të marrëdhënieve burrë- grua në kulturën shqipe.

 

Flutura Açka, shkrimtare

“Liria”, Jonathan Frazen

“Liria”, roman nga Jonathan Franzen, një prej rrëfyesve më të mirë të kohës sonë.

Kur Jonathan Frazen erdhi entuziast në Shqipëri në pranverë të vitit 2012 për një artilkull për National Geographic mbi zogjtë migratorë në lagunat tona, nuk e dinte kërdinë që bënin shqiptarët mbi natyrën e tyre të bekuar nga drita, pasuria dhe bukuria. Kur u largua, si botuese e tij, u këshillua me mua në mund të shkruante një letër për autoritetet shqiptare mbi masakrën gjakatare që po ndodhte me zogjtë (me pasionin e vrojtimit të jetës së të cilëve kishte vite që merrej) dhe kafshët e egra në Shqipëri. E këshillova se një letër e hapur publike, do të qe më me vlerë se çdo rresht personal për krerët e shtetit, por dikush nëpër zyrat e administratës sonë të lartë, ndër ata që kanë përgjegjësi për mjedisin tonë të korruptuar nga të korruptuarit, e devijoi dëshirën e Franzenit për t’iu drejtuar publikisht shqiptarëve, dhe ajo letër u myk diku në zyrat e Kryeministrisë sonë. Kur qeveria e re në kapërcyellin e pushteteve pas zgjedhjeve të vitit 2013, vendosi moratoriumin e gjuetisë, mendova se frymëzimi u kishte ardhur nga kjo letër që mund ta kishin gjetur rastësisht dhe po vepronin në emër të patriotizmit dhe për ta mbrojtur Shqipërinë, por tunika e kanabisit që iu vesh në pak muaj vendit dhe që zgjati me vite, më shpjegoi shkujdesjen ndaj një alarmi si të Jonathan Franzen, alarm që është edhe thelbi i romanit “Liria” për botën sot.

“Liria” sjell tundimet dhe barrën e lirisë: drithërimat e epshit adoleshent, kompromiset e lëkundura të moshës së mesme, shtrëngesat e jetës në periferi, peshën e rëndë të perandorisë së kohës. Jonathan Franzen është një kirurg i hollë dhe ka prodhuar me këtë libër një portret të pashlyeshëm e thellësisht prekës të kohës sonë.

 

Beti Njuma, gazetare

“Ditar i shkurtër kufijsh”, Gazmend Kapllanit

“Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, Stefan Çapaliku

Ka patur disa libra shumë të mirë në shqip këtë vit që po shkon, por ju nuk më lejoni të zgjedh disa, kështuqë unë do përzgjedh dy. Janë të dy libra shumë të mirë. Janë kuzhina të kujtesës sonë të mjegullt, që birret e humbet dita-ditës. Fatkeqësisht janë dy botime që i kanë “shpëtuar” syrit të jurive dhe çmimeve të gjithsojshme që janë dhënë gjatë 365 ditëve që shkuan.

 

Ervin Bushati, politikan

“The Path” të Michael Puett & Christine Gross Loh

Jeta jonë përcaktohet përditë nga rituale dhe sjellje rutinë që janë shumë më të rëndësishme sesa bindje të mëdha apo filozofi të menduara thellë dhe gjatë. Mënyra jonë e të konceptuarit dhe të veprimit si njerëz perëndimorë ndryshon rrënjësisht me atë të mendimit nga një pjesë po aq e rëndësishme e botës: Rrugës (Dao) që ndjen filozofia antike kineze dhe ajo e Lindjes së largët.

Ky libër i shkurtër dhe sintetik bën që të vëmë në pikëpyetje për herë të parë atë që kemi stabilizuar si shtylla të qytetërimit tone në shekuj: e mira dhe e keqja, e drejta dhe gabimi, logjika dhe ndjenjat …

Konfuci dhe shume filozof ë të tjerë kinezë të Antikitetit vijnë me qartësinë dhe kthjelltësinë e një rryme mendimi që sfidon të sotmen — moderne dhe teknologjike — në thellësinë e mendimit që shpon tej për tej epokat e njerëzimit.

Një sfidë e shkruar guximshëm, për ata që mendojnë se e njohin mirë veten dhe botën në të cilën jetojnë.

 

Jonila Godole, pedagoge

“Homo Deus: A brief History of Tomorrow” , Yuval Noah Harari

Libri trajton pyetje të historisë dhe të së ardhmes të njeriut (si specie) dhe si shoqëri. Sidomos në qendër të librit është rolin i njeriut në botën e nesërme, kur punët do kryhen nga robotët. Çështja nuk është më nëse kjo do ndodhë, por se kur do ndodhë.

Për të kuptuar se si inteligjencat artificiale do sillen me ne (njerëzit) nesër, mjafton të shohim se si ne (njerëzit) jemi sjellë deri më sot me kafshët!

 

Gentian Gaba, politikan

“Macron, Revolucioni liberal francez”, Mauro Zanon

Është libri i parë i publikuar në 2017-ën në Itali, mbi “fenomenin” që ndryshoi politikën franceze. Autori, Mauro Zanon, me ndihmën e një  parathënie me peshë (nga i rëndi) Giuliano Ferrara, tregon hap pas hapi marshimin e liderit të “En Marche!” drejt Presidencës. Personalisht isha kurioz për të njohur më shumë, jo vetëm arsyet e një revolucioni që i interesoi gjithë Evropës, por edhe të kuptoja nga afër dimensionin real të tridhjetë e nëntë vjeçarit, dritëhijet e bankierit me Master në Filozofi, i cili shkundi rendin politik francez . Në këtë libër, të shkruar mirë dhe me stilin gazetaresk nga Zanon, kuptohet qartë se Presidenti nuk ishte një “fluskë mediatike”, por një fenomen i destinuar për të tejkaluar gardhin e vjetër të politikës tradicionale. “Ose do të jemi rithemeluesit e Europës, ose varrmihësit e saj” – thotë Macron.

Jo pak për një tridhjetë e nëntë vjeçar.

 

Koloreto Cukali, regjisor

“Kaini”, Hoze Saramago

“Epshi”, Elfriede Jelinke

Do më duhet të zgjedh mes 2 librash që më kanë lënë gjurmë këtë vit, “Kaini” i Hoze Saramagos (“Cain”, botim i 2011-s, nga Harvill Secker, Londër, përkthyer në anglisht nga: Margaret Jull Costa) dhe “Epshi” i nobelistes Elfriede Jelinek (botim i 2007-s, nga Skandërbeg Books, përkthyer në shqip nga Afrim Koçi). 

Të dy librat hulumtojnë 2 shpellat më të thella të qenies njerëzore, atë të fesë dhe atë të seksit.

I pari, një nga shkrimtarët më të anatemuar në Europë, nobelist, ofron një zhytje të thellë në historitë biblike, një udhëtim që na e kanë bërë shumë të vështirë, ndërsa, siç e dëshmon arti i Saramagos, qenkësh thjesht një udhëtim i lehtë, gazmor që duhet përballuar me buzëqeshje. Gjithçka që Kisha e ofron të errët e mistike, Saramago i jep dritë dhe e bën fëmijërore. Atyre që e kanë kryer udhëtimin e dyshimit të besimit brenda vetes, Saramago u ofron një xhiro falas. Atyre që nuk e kanë bërë akoma u jep ushqim për mendjen. Sigurisht, një libër jo për mendjet e mbyllura.

Jelinek, ndërkohë, ofron një libër sfidues për sa i përket stilit, ose të paktën, kështu e kam përjetuar unë.

Gruaja e Jelinekut (a ka rëndësi emri?) është një objekt seksual, nga të tëra anët janë njerëz që duan ta ndukin, epshi rrjedh në rrugët e rrugicat e ftohta të periferisë austriake, pushteti kërkon seks që të afirmohet. A nuk ju kujton kjo Shqipërinë? Gjëja që më pëlqen shumë tek ky libër është që ndërsa shpjegon me të tëra metaforat e mundshme kafshën epshore të njeriut, në plan të dytë të ngjarjes ti mund të prekësh një analizë të mprehtë sociale të njeriut-qytetar. Ashtu si e kuptoj unë këtë libër, njeriu-kafshë është aq i fëlliqtë për shkak se njeriu-qytetar është i shkelur me këmbë. Edhe një herë, a nuk ju kujton kjo Shqipërinë?

Gjithsesi, mrekullia e këtij libri qëndron tek stili, dhe unë kisha kohë pa u mahnitur me stile të shkruari. Shumë kohë.

a.c/ Politiko.al

COMMENTS

error: Content is protected !!