Flash News

KRYESORE

“4 vs 4”, Tirana-Podgorica-Prishtina-Shkupi vihen në lëvizje pas takimit të Beogradit; Shqipëria kërkon hyrjen në lojë të vendit të BE-së

“4 vs 4”, Tirana-Podgorica-Prishtina-Shkupi vihen në

Ditën e djeshme u zhvillua në Beograd një takim midis kryeministrave të Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, i dyti në pak javë, pasi takimit në qytetin bullgar të Varnës. Boshti i këtij kuarteti nuk është i qartë pasi tre janë vende anëtare të NATO-s dhe BE-së, ndërsa Serbia jo, por së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor synon anëtarësimin në BE.

Një ditë pas këtij takimi, që nuk po shihet me sy të mirë në vendet e tjera të Ballkanit, në Tiranë ka mbërritur për një vizitë zyrtare presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, ndërkohë nesër, në Prishtinë do të jetë për vizitë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Lëvizjet diplomatike të Tiranës, Podgoricës, Prishtinës dhe Shkupit shihen si përpjekje për të reaguar ndaj një dominance në rajon të këtër vendeve të sipërpërmendura.

Tirana zyrtare ka kërkuar të fus në lojë edhe Kroacinë, vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, zyrtarët e të cilit kanë shprehur pakënaqësi për përjashtimin nga takimet Greqi-Bullgari-Rumani-Serbi.

Ishte presidenti shqiptar, Ilir Meta, i cili në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me homologun Vujanoviç, kërkoi një bashkëpunim më të madh me Zagrebin në projekte madhore që kanë ndikim në të gjithë rajonin.

“Jemi të bindur se ka nevojë për t’u fokusuar edhe më mirë, së bashku me Kroacinë, për sa i takon realizimit të disa projekteve madhore, të cilat do të kishin ndikim të përgjithshëm jo vetëm në vendet tona, por edhe të gjithë rajonit”, tha Meta, duke përmendur më pas projektin IAP dhe TAP.

Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Meta u fokusua vetëm në kuartetin Shqipëri-Mali i Zi-Kosovë-Maqedoni, duke kërkuar nisjen e negociatave të BE-së me Tiranën dhe Shkupin dhe zgjidhjen e çështjes së demarkacionit mes Prishtinës dhe Podgoricës.

Të fundit