Flash News

KRYESORE

Takimi me Bushatin, kongresmeni i Floridës zbulon interesin e ri strategjik të SHBA-së në Shqipëri, përfshihet edhe Greqia

Takimi me Bushatin, kongresmeni i Floridës zbulon interesin e ri strategjik

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ndodhet në Uashington ku po merr pjesë në disa aktivitete të organizatave amerikane. Ditën e djeshme ai është takuar me kongresmenin e Floridës, Matt Gaetz, i cili ishte një prej gjashtë kongresmenëve që vizitoi Shipërinë më 10 maj të këtij viti.

Gjatë takimit, Gaetz ka zbuluar interesin ri të SHBA-së në Shqipëri dhe që lidhet me sektorin e energjisë.

“Ministri Bushati zhvilloi një takim edhe me kongresmenin nga Florida Matt Gaetz me të cilin diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri the​ rajon. Kongresmeni theksoi interesin që SHBA-të kanë për reformën në sektorin energjetik ne Shqipëri”, raportohet shkurtimisht ky takim në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Jugu i Ballkanit, ku në një pjesë të tij shtrihet edhe Shqipëria, po kthehet me shpejtësi në një rajon me rëndësi globale sa i përket transportit të gazit nga rajonet e Rusisë, Kaspikut dhe Mesdheut Lindor.

Në muajn shtator, ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt deklaroi se vendi i tij parashikon të rrisë prezencën në Greqinë e veriut, aty ku kalojnë gazsjellësi TAP dhe gazsjellësi me Bullgarinë.

Përveç këtyre dy gazsjellëve janë edhe disa projekte që po lobohet për të gjetur financime, siç është rasti i gazsjellësit ‘IAP’, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë, si dhe avancimi i TAP nga Shqipëria për në Kosovë dhe Maqedoni.

Një tjetër projekt madhor që pritet të realizohet është edhe gazsjellësi ‘East Med’, që do transportojë gazin nga Izraeli për në Qipro, Greqi, Itali dhe më pas për të mbërritur në vendet e Evropës Qëndrore.

‘South Stream’ dhe ‘TurkishStream’ janë dy gazsjellës që Rusia planifikon të ndërtojë, por që po kundërshtohen ashpër nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Të dy këto projekte kalojnë në Ballkan.

‘Eastring’ dhe ‘Tesla pipeline’ janë gazsjellësit, që kalojnë në Ballkan, dhe që do të ndërtohen nëse Moska dhe Ankaraja gjejnë rrugën e realizimit të projektit ‘TurkishStream’.

Kjo situatë i ka vendosur disa shtete të Ballkanit, kryesisht Greqinë dhe Bullgarinë, e më pas Maqedoninë me Shqipërinë, në qendër të gjeopolitikës së gazit, çka konfirmohet edhe nga deklarata e kongresmenit Gaetz në takimin me Bushatin.

Të fundit