Flash News

KRYESORE

Pikëpyetjet sipas Top Channel: Dyshime se policët numëruan paratë duke prishur provat; opozita e besueshme për qytetarin, qeveria jokomode

Pikëpyetjet sipas Top Channel: Dyshime se policët numëruan

Në edicionin e lajmeve në Top Channel është transmetuar një kronike lidhur me pikëpyetjet e reja për ngjarjen e Elbasanit, ku biznesmenit Orest Sota iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në kronikën e këtij televizioni theksohet se “të dhënat e rastit të dytë rëndojnë edhe mbi qeverinë”, e cila vendoset në një pozitë jokomode.

Ndërkohë, dyshime të forta hidhen edhe mbi Policinë dhe veprimet e saj, e cila sipas këtij televizioni, mund të ketë ndikuar në prishjen e provave.

“Ngjarja e Elbasanit ngre disa pikëpyetje të forta dhe që vënë në pozitë të vështirë, pikë së pari policinë. Ajo vërtet publikoi lajmin, por në deklaratën për shtyp ajo nuk flet për dy dokumentet e ish-ministrit të Brendshëm. Gjithashtu, nëse është e vërtetë se policët kanë numëruar paratë, duke shtuar gjurmët, kjo do të thotë minimalisht prishje e provave.Me qëllim apo jo, këtë duhet ta verifikojë Prokuroria. E treta, përse Policia ka ndaluar personin në fjalë? A ka pasur të dhëna apo ka qenë rastësore? Nëse ka pasur të dhëna dhe sërish kryhen veprimet gabim, kjo e rëndon edhe më shumë punën e policisë”, raporton TCH.

Sa i përket opozitës, Top Channel raporton se “ kjo ngjarje ka edhe pasoja politike. Kjo ndihet në faktin që ky erdhi si denoncim politik nga opozita, së cilës i besoi qytetari për të dhënë informacionin”.

“Nëse në rastin “Habilaj” të dhënat ndaj Tahirit janë deri tani të debatueshme, prania e dokumenteve personale të ish-ministrit të Brendshëm në makinën e një personi që kapet me 800 mijë euro të padeklaruara, dhe që në biznesin e tij ka vetëm rindërtim komisariatesh, i bën këto të dhëna shumë më shqetësuese sesa ato në rastin “Habilaj”, përfundon kronika e TCH.

Të fundit