Ndahen çmimet në Panairin e Librit, Betim Muço shpallet autori i vitit

Ndahen çmimet në Panairin e Librit, Betim Muço shpallet autori i vitit

Një ditë para përfundimit të Panairit të Librit, një juri e përbërë nga personalitete të letrave shqipe vlerësoi me çmime shtëpi botuese, shkrimtar dhe përkthyes më të mirë të edicionit të 20 të panairit.

Me veprën “Yjet janë fare pranë”, Betim Muço është shpallur autori i vitit, një vepër që flet për emigracionin në kontekstin kombëtar të cilën e ka trajtuar më në thellësi dhe me elegancë stilistike e gjuhësore. Çmimin në nder të autorit e ka tërhequr motra e tij, Tefta Muço, e cila u shpreh se ky roman është shkruar në muajt e fundit të jetës.

 Ndërsa Diana Çuli u vlerësua si përkthyesja më e mirë e vitit për sjelljen në shqip të autorit arbëresh Carmine Abate. Çuli u shpreh se ndihej e vlerësuar që në atë grup të ndriçuar u vlerësua me këtë çmim.

 Vepra “Faik Konica dhe dritëhijet e një diplomati”, me autor Agron Alibalin, u vlerësua në kategorinë e letërsisë studimore origjinale.

“Ndihem shumë i lumtur, i emocionuar dhe i detyruar për diçka tjetër në të ardhmen”, tha Agron Alibali, shkrimtar.

Ndërsa Persida Asllani, në tentativën e saj për të sjellë një libër për fëmijë, qëlloi e suksesshme duke marrë çmimin me botimin “Më quajnë Musine Kokalari”.

“Është një emocion i veçantë. Kisha dyshimet e mia, a është në formën e duhur, në ligjërimin e duhur për fëmijët. Fakti që juria e vlerësoi nga ky këndvështrim, ndoshta nuk do t’i mërzisë fëmijët me këtë libër”, tha Persida Asllani, shkrimtare.

Në këtë edicion të veçantë u vlerësuan me çmim për herë të parë edhe Shtëpia Botuese “Onufri” dhe “Pika pa sipërfaqe”, si edhe 3 libraritë “Adrion”, “Arjan Goga” në Shkodër dhe “Artini” në Prishtinë, për kontributrin në afrimin e librit sa më pranë lexuesit.

COMMENTS

error: Content is protected !!