Adela Prifti Çaushllari: Lexoj duke imagjinuar

Adela Prifti Çaushllari: Lexoj duke imagjinuar

ÇFARE PO LEXON Adela Prifti Çaushllari?

Adela sapo ka botuar romanin e parë ‘Anabela’, ngjarjet e të cilit i ka zhvendosur në Amerikë. Të imagjinosh Amerikën do të thotë edhe ta jetosh atë. Duket se të njëjtën gjë bën edhe me librat që lexon. E pyetur nëse mban shënime kur lexon ajo thotë se jo. Lexon pa ndërprerje dhe duke imagjinuar. Lexon, me sa duket, si një shkrimtare. /Politiko.al

 

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Nuk e di se çfarë vitesh botimi kanë të them të drejtën, duhet të çohem t’i kontrolloj me radhë. Kam disa libra që ia kam vjedhur gjyshit (ha ha). I quaj të vjetër sepse mbajnë era myk senduku dhe kanë faqe të verdha. Kam një botim të hershëm të “Zonja Bovari”.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Herë nga autori, herë nga zhanri. Anoj më shumë nga letërsia artistike, romanet.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Jo. Ato që kanë shumë histori, shumë filozofi, shumë politikë, i kam lënë përgjysëm. Dhe nuk besoj se do t’i lexoj ndonjëherë. Jo se nuk dua. Nuk mundem. Më pëlqen kur këto ndërthuren me artistiken, jo bruto.

-Libri i parë që keni lexuar…

Nuk e kam lexuar vetë. Ishte “Rosak Topolaku”. Ma lexonte mami. Pastaj doli “Macet Aristokrate”, “Festa e Minit”, etj.

Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Padyshin “Harry Potter”. Nuk më kujtohet cilin nga vëllimet kam blerë me kursimet e mia. Mbaj mend që njërin iu luta gjyshes të ma blinte, njërin babit. Dhe nuk është se kushtonin pak, sidomos ata voluminozët. Në atë kohë më dukeshin shtrenjt dhe e konsideroja si sakrificë për hir të dashurisë sime për magjinë.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnaziste apo studente?

Me veten (ha ha). Kisha shije pak unike. Ndonjëherë shoqet më kritikonin që lexoja shumë magji dhe shkëputesha nga realiteti.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Kjo ishte nga gjërat e preferuara që bëja kur isha në Pogradec. Kaloja shumë kohë nëpër rafte. Në atë kohë nuk ishte futur vrullshëm teknologjia dhe në një qytet të fjetur e shumë të ftohtë gjatë dimrit nuk kisha shumë alternativa argëtimi. Kur u largova për studime jashtë, e mbylla kartën e anëtarësimit. Kisha një fotografi të bukur në fakt, më kujton fëmijërinë, nuk e di nëse e mora mbrapsht (ha ha).

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Nuk e frekuentoj më. Biblioteka e Tiranës nuk më pëlqen. Nuk ke mundësi të shëtisësh e të marrësh ç’të kap syri. Është një procedurë burokratike e mërzitshme. Nuk ka as hapësirë të madhe leximi. Në ëndrrat e mia jam mësuar të shoh biblioteka me libra deri në tavan, si në Angli apo si e fundit që vizitova në Brera, Milano. E fundit herë që kam lexuar në një bibliotekë të bukur ishte kur isha në universitet, po në Milano.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

Kam një libër të një mikeshës sime me përralla. Si fëmijë që jam në shpirt i dua shumë përrallat. Nuk ia kam kthyer sepse i kemi humbur kontaktet. Ajo ka një ose dy libra të mitë (sepse atë kohë i shkëmbenim librat), por nuk më kujtohet cilët libra janë.

Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Asnjëherë. I ruaj me shumë dashuri dhe fanatizëm. Madje pikëllohem kur më grisen apo dëmtohet kopertina. Kaloj me orë të tëra duke i ngjitur. Kur i jap dikujt hua një libër (gjë që ndodh rrallë) kujdesem që ta marr mbrapsht ashtu siç i kthej të gjithë librat të padëmtuar dhe në kohë.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Preferoj t’i zgjedh vetë. Kam disa libra shumë të mirë të dhuruar, por më shijojnë ato që blej, ndoshta sepse i zgjedh me dashuri (me shikim të parë).

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Gjithmonë shtrirë. E kam shumë të vështirë të lexoj ulur. Më dukej e tmerrshme të lexoja në auditor. Momenti më i qetë, më intim është natën në krevat.

A lexoni në banjë?

Lexoj gazeta ose në tablet. Librat nuk para i marr në banjë. Më ka ndodhur vetëm disa herë kur kam patur poezi për të mësuar përmendësh dhe më fiksoheshin më mirë aty. Ose kur kam patur provim në mëngjes dhe më duhej të bëja një përsëritje ndërkohë që bëhesha gati (për të shkurtuar kohë). Romane nuk lexoj në banjë.

Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Kam lexuar pak në anglisht. Në italisht më shumë (Ecco ose Buzzati). Këto kohët e fundit vetëm shqip.

 -Mbani shënime kur lexoni?

Jo. Jam munduar disa herë por kjo gjë më shpërqendron. Nuk e shijoj dot librin. Preferoj ta çoj nga fillimi në fund duke e imagjinuar, pa e lënë përgjysëm, pa ndalesa…

Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Ka raste që poezinë nuk e kuptoj ose nuk më ngjit. Ose më godet ose jo. Nuk varet nga unë, është e pavullnetshme. Prozën e kuptoj më mirë, e dua më shumë. Më pëlqejnë historitë që rrjedhin, kanë ritëm, ngjarje, që zgjojnë kureshtjen, imagjinatën time… Kur mbaj shënim një autor, mbaj shënim edhe titullin e librit. Nuk lexoj çdo gjë të tijën. Varet çfarë të godet. Unë i besoj shumë intuitës.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Dante, Bajroni, Remarku, Shekspiri, Balzaku, Homeri, Markez, Pushkin, Dostojevski, Cvajk, etj.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Librat fetarë, Kur’ani dhe Bibla.

Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

“Romeo dhe Zhuljeta”, kam një dashuri të madhe për dashuritë e mëdha dhe tragjeditë e mëdha. Gjithashtu librat e shenjtë për mua duhet të ruhen deri në fund. Nuk dua t’i ndaj. Por edhe “Komedia Hyjnore” më pëlqen. Diçka nga Markez do ta ruaja. Onjeginin e Pushkinit. Janë më shumë se 3.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Nuk kam ndonjë të tillë.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

...anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Mund të them më shumë se një (përveç Zhuljetës)? (Ha ha).

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Janë mëse normalë, jo të çuditshëm, por të çmuar.

-Çfarë po lexoni?

Po lexoj nje libër me magji dhe mister nga ata që kam qejf unë. Ma dhuroi Antonio në panair. Të dy botuam për herë të parë këtë vit pranë Shtëpisë Botuese “Dituria”. Titullohet “Magjia Universale”.

COMMENTS

error: Content is protected !!