Flash News

KRYESORE

LSI ia ngarkon peshën e rëndë të skandalit Tahiri-Habilaj, supeve të njoma të Braimllarit dhe Mehmetajt

LSI ia ngarkon peshën e rëndë të skandalit Tahiri-Habilaj,

Që prej ditës së djeshme, politika shqiptare është tronditur nga arrestimi i Moisi Habilajt në Itali, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërkohë sot, mediet italiane kanë publikuar disa përgjime që sipas tyre lidhin direkt me trafikun e drogës deputetin aktual të PS.

Partia e dytë më e madhe e opozitës, LSI, ka bërë vetëm dy reagime në ‘Facebook’, nëpërmjet deputetëve të rinj të saj, Endrit Braimllari dhe Kejdi Mehmetaj.

Kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili, i cili reagon pothuajse për çdo temë, ka heshtur, heshtje ka edhe nga zv/kryetari Luan Rama, po ashtu, njësoj ka vepruar edhe kryetarja e partisë, Monika Kryemadhi.

LSI ka zgjedhur që të reagojë për skandalin Tahiri-Habilaj në nivel deputetësh, ndonëse Braimllari është anëtar i Komisionit të Sigurisë, ndryshe nga Partia Demokratike, ku ka qenë vetë kryetari Lulzim Basha që është shfaqur përpara kamerave, madje duke kërkuar edhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm.

“30 mijë euro duhet t’ia japë Saimirit”, media italiane publikon përgjimet e Moisi Habilajt me trafikanët e drogës

Reagimi i Kejdi Mehmetaj:

Kryeministri që ka koment për çdo gjë, që merr në gjyqe publike punonjësit e thjeshtë vetëm se kanë bark të madh e nuk plotësojnë shijet e tij estetike, pse nuk ka thënë ende një fjalë për trafikantin Moisi Habilaj dhe kushëririn e tij ministrin e brendshëm?

Hetuesit italianë dhe media aty kanë folur e shkruar gjatë për sasinë e jashtëzakonshme të drogës që është prodhuar dhe trafikuar nga Shqipëria dhe mbi të gjitha për lidhjen e trafikantëve me policinë e shtetit dhe ministrin e kryeministrin.

Cituar nga mediat italiane:

Moisi Habilaj bisedon me pronarin e një karburanti në komunën Lentini: “Nëse vjen në Shqipëri do ta kuptosh se policia është e korruptuar madje ka raste që është vetë kreu i policisë që ndihmon për të ngarkuar thasët me drogë” thotë ai.

Në një nga këto takime Moisi Habilaj flet për kushëririn e tij politikan duke u shprehur se “30 mijë euro i duhet t’ia japë Saimirit”.

Kryeministri ra! Të japë dorëheqien përpara se populli ta heqë pa mëshirë nga ajo karrige që e mban ulur vetëm krimi e droga.

 

Të fundit