Flash News

KRYESORE

Zyrtarizohet viti i anëtarësimit të Serbisë dhe Malit të Zi në BE, Shqipëria jo pjesë e projektit Juncker-Hahn

Zyrtarizohet viti i anëtarësimit të Serbisë dhe Malit

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker i është drejtuar me anë të një letre Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE-së, ku i bën të ditur planin për krjimin e strategjisë së anëtarësimit të Malit të Zi dhe Serbisë në union.

Kjo strategji do të jetë gati deri në fund të vitit 2018-të, me një prespektivë të anëtarësimit të Beogradit dhe Podgoricës në vitin 2025.

Në një nga dhjetë prioritetet e “Rrugës drejt një bashkimi më të madh, më të fortë dhe më demokratik”, Serbia dhe Mali i Zi përmenden si kandidatet kryesore të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE.

Fokusi kryesor që do të kenë këto vende në rrugën e anëtarësimit është sundimi i ligjit, të drejtat themelore, lufta ndaj korrupsionit dhe stabiliteti në rajon.

Ky plan strategjik i Juncker i përshtatet atij të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili ka deklaruar më herët se Mali i Zi dhe Serbia janë dy vendet e Ballkanit më pranë BE-së.

Sa i përket Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnje-Hercegovinës, këto shtete nuk përmenden fare në strategjinë e anëtarësimit të Juncker-Hahn.

Nëse Serbia do të jetë anëtare e BE-së në 2025-ën, ndoshta shqiptarët duhet të presin 2030-ën për të qenë pjesë e Europës së bashkuar, 13 vite nga sot dhe 40 vite nga 1990-ta.

Të fundit