Flash News

KRYESORE

Vëzhgimi/ Rikthimi i dështuar i Edi Ramës në OKB, Bushati nuk garantoi asnjë takim për kryeministrin

Vëzhgimi/ Rikthimi i dështuar i Edi Ramës në OKB, Bushati

Kryeministri Edi Rama u rikthye në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pas një viti pushim, sepse në 2016-ën delegacioni kryesohej nga presidenti Bujar Nishani.

Që prej ditës së parë që delegacioni shqiptar mbërriti në Nju Jork dhe deri në më sot, Politiko.al ka raportuar për takimet e pakta që po zhvillonin Edi Rama dhe Ditmir Bushati në një kohë kur homologët e tyre nga e gjitha bota i përdorin punimet e Asamblesë për të zhvilluar takime të shumta dypalëshe.

Në një javë qëndrim në Nju Jork, Rama zhvilloi vetëm një takim, atë me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ndërkohë që edhe ky takim nuk u zhvillua në ambientet e selisë së OKB-së por në një prej hoteleve më luksoze në qytet.

Edhe për ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, ky vit mund të konsiderohet jo i sukseshëm, pasi ai arriti të takohet me vetëm katër homologë, ministrat e Belgjikës, Tunizisë, Norvegjisë dhe Greqisë.

Në 2016-ën, Bushati kishte një javë të ngjeshur në punimet e Asamblesë. Një vit më parë ai zhvilloi takime me homologët e Singaporit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit, Gjeorgjisë dhe Tunizisë.

Ndërkohë, edhe 2015-ta nuk ishte një vit i suksesshëm për Edi Ramën, megjithatë, dy vite më parë ai siguroi një takim me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras, shtet me të cilin marrëdhëniet janë shumë dinamike. Ajo ishte hera e parë dhe e fundit që Rama u takua me Tsipras.

Bushati në 2015-ën ka zhvilluar takime me homologët e Irakut, Azerbajxhanit, Jordanisë, Emiratave Arabe, Indonezisë, Katarit dhe Malajzisë. Atë vit, numri një i diplomacisë shqiptare u takua edhe me kryeministrin e Maltës dhe Zëvendës Presidentin e parë të Komisionit Evropian.

Për Besiana Kadarenë kjo ishte hera e parë që mirëpriste kryeministrin Edi Rama si ambasadore në OKB, pasi është emëruar në këtë post në maj të 2016-ës.

Të fundit