Një shoqëri dhe një shtet i dorëzuar

Një shoqëri dhe një shtet i dorëzuar

Ose a është Ambasadori amerikan një Skënderbe?

Jerina Zaloshnja

Fildes Hafizi, nënë e dy fëmijëve u vra nga  nga ish-bashkëshorti i saj duke zbuluar nivelin e frikshëm të dhunës ndaj gruas në shoqërinë e sotme shqiptare. Ende e përfshirë në një tranzicion rraskapitës, kaotik dhe herë-herë të dhunshëm,  shoqëria shqiptare, nuk ishte në gjendje të mbronte një nënë, një grua ashtu sikundër në fakt dështon çdo ditë për të mbrojtur nga dhuna vajzat, gratë dhe nënat.

Bashkë me shoqërinë dështuan të gjitha institucionet shtetërore për të mbrojtur jetën e një gruaje dhe të një nëne.

Rasti i Fildes Hafizit, ashtu sikundër dhjetëra e dhjetëra raste të tjera dhune ndaj grave, që jo rrallë herë përfundojnë me vrasje, e ka grisur përfundimisht fasadën e pretenduar të një shoqërie te emancipuar që dëshiron t’i ngjasojë shoqërive evropiane moderne – sidomos ka grisur fasadën e shtetit dhe të qeverisë për balancat gjinore dhe rolin e gruas në qeverisje.

Por jo vetëm kaq.

Fildes Hafizi ishte një gjyqtare dhe kjo e bën rastin e kësaj dhune ekstreme edhe më të rëndë dhe të pashpresë. Gjykatat, prokuroria, policia, këshilli i lartë i drejtësisë, dhe të gjithë organizmat e tjera kanë dështuar të mbrojnë jetën e një gruaje, dhe nëne.

Dhe ajo që është edhe më tepër flagrante dhe e papranueshme është fakti se kjo grua, kjo gjyqtare u është drejtuar për ndihmë të gjithë organizmave shtetërorë.

Por është dhe më keq se kaq.

Rasti i Fildes Hafizit nuk është vetëm një dëshmi e dhunës ekstreme të papranueshme për një shoqëri demokratike, nuk është vetëm një dëshmi e dështimit të shoqërisë dhe të shtetit për të garantuar sigurinë dhe liritë themelore të njeriut, të nënës, të gruas, të femrës.

Përpos kërkesës zyrtare për ndihmë drejtuar prokurorëve, gjykatësve, shefave të policisë – madje dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë – Fildes Hafizi i shkroi një letër Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, duke i kërkuar ta ndihmonte duke e mbrojtur. Këtu nuk bëhet fjalë për një qytetare të painformuar, por për një gjykatëse që e njeh mirë sistemin dhe beson se duke kërkuar ndihmë nga një diplomat i huaj është e vetmja rrugëzgjidhje për ta mbrojtur veten nga kërcënimet. Kjo është një shuplakë e merituar në faqe të institucioneve shqiptare që dështojnë sistematikisht për të mbrojtur viktimat. Fildes Hafizi është prova e dështimit të një shteti, një sistemi gjyqësor dhe i zbatimit të ligjit – është prova që kjo shoqëri është moralisht e falimentuar.

Kur nuk i mbeti më asgjë tjetër për të bërë, apelin e fundit ia bëri Ambasadorit të SHBA.

Apeli i saj nuk ishte i vetmi. Në një territor që formalisht ka një shtet dhe një qeveri, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara shihet si shpëtimtari i fundit për gjithfarëlloj çështjesh. Me raste, edhe Bashkimi Evropian dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtar shihen si të tillë. Ish të përndjekurit e regjimit komunist që presin kompensim nga shteti, i shkruajnë ambasadorëve, sipas raportimeve të shpeshta të medias. Të shpronësuarit gjatë komunizmit gjithashtu u shkruajnë atyre, meqenëse nuk marrin asnjë zgjidhje nga shteti shqiptar. Të afërmit e viktimave të protestës së 21 janarit gjithashtu u shkruajnë ambasadorëve. Dhe lista vijon… Letra për ambasadorin amerikan shkruajnë edhe të papunët, të pastrehët, ata që përjashtohen nga administrata, të tjerët që humbasin gjyqet për shkak të sistemit të korruptuar, për gjendjen e spitaleve madje edhe për mungesën e standardeve në burgje. Hierarkia e letrave vijon edhe me kryetaren e delegacionit të BE në Shqipëri znj. Vllahutin.

Pak kohë pasi Presidenti George W. Bush vizitoi Shqipërinë, ai mori një letër nga organizata e pensionistëve shqiptarë të cilët protestonin kundër qeverisë shqiptare  me shpresë se letra për presidentin amerikan do të ndihmonte për të rritur pensionet e tyre. Kjo është histori e vërtetë, nuk është aspak anekdotë. E vërteta është më e çuditshme se trillimet ndonjëherë në këtë vend.

Rasti Hafizi është veçse një dëshmi tronditëse e dorëzimit të shoqërisë dhe të shtetit.  E ndjera Hafizi ka qenë pjesë e sistemit, por ajo e dinte se sistemi nuk funksionon dhe kjo është arsyeja që i dërgon letër  Ambasadorit amerikan Lu. Sikur Ambasadori Lu të ishte Skënderbe dhe të  zgjidhte më një të rënë të shpatës të gjitha kërkesat që i vijnë me postë! Vetë Ambasadori Lu e di se Skëndërbeu, heroi ynë kombëtar, është  dhe një mit. Dhe as shoqëria, as liritë, as e ardhmja, as demokracia, nuk ndërtohen me mite. Nëse, sigurisht, nuk ndodh diçka vitin tjetër, diçka që s’ka ndodhur kurrë më parë ngaqë qeveria e ka shpallur ‘vitin e Skënderbeut’ si prioritetin e parë të saj.

Ndërkaq nuk  është vetëm “populli”  që  u shkruan ambasadorëve. Pastaj renditen deputetët, zyrtarët e zgjedhur, madje dhe përfaqësuesit e lartë të shtetit, deri tek kryetari i shtetit, kryetari i qeverisë,  shefi i  opozitës. Të gjithë këta u dërgojnë  letra publike ambasadorëve sa herë që partitë politike, qeveria dhe opozita janë në konflikt – duke kërkuar zgjidhjen përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar sikur të ishin dy shtete të ndryshme në luftë me njëri-tjetrin, apo dy palë të përfshira në një luftë civile siç janë rastet e vetme të ndërmjetësimit ndërkombëtar.

Por si do të shpjegohej kjo kulturë e turpshme e varësisë që ka zënë rrënjë në këtë shoqëri? Nga buron ky dorëzim i pakusht, kjo varësi e plotë dhe fatale te të huajt, qofshin ata dhe përfaqësues të vendeve të fuqishme që i duan të mirën Shqipërisë?

Mali i Zi është një shtet i vogël prej 600 000 banorësh, por as gjykatësit, as politikanët nuk e kanë bërë të modës t’i shkruajnë letra ambasadorit te SHBA  apo të  vendeve të tjera. Kroacia ka pak a shumë të njëjtat përmasa me Shqipërinë, por  asnjë kroat nuk mund ta çojmë nëpër mend që një gjykatësi kroat t’i duhet të kërkojë ndihmë për të shpëtuar jetën nga një ambasadorëve tëvendeve perëndimore detyra e të cilëve në vendet e akredituara është të punojnë për interesat e vendeve të tyre.

Nuk ka asnjë komb mbi tokë ku shpëtimi, jeta, liritë, përparimi të kenë dhuruar nga jashtë. Nuk ka ndodhur, dhe nuk ka për të ndodhur – por përsa kohë shqiptarët vazhdojnë ta besojnë këtë, situata do të vazhdojë të jetë e pashpresë.

(Fillimisht ky shkrim u botua si editorial në gazetën Tirana Times. www.tiranatimes.com)

 

 

 

 

 

 

 

COMMENTS

error: Content is protected !!