Një fundjavë aventureske në Tiranë; larg diskove, kafeneve dhe zhurmave të kryeqytetit

Një fundjavë aventureske në Tiranë; larg diskove, kafeneve dhe zhurmave të kryeqytetit

  *Nga Xhuliana Jakimi

Gjatë javës na rrëmben rutina e përditshme, dhe mezi  presim fundjavën për të bërë diçka ndryshe. Moti kishte premtuar kohë me diell, kështu që kërkova në internet për paketa turistike brenda Tiranës.

Sytë më zunë një destinacion mes Tiranës dhe Elbasanit, në Kërrabë,  ku s’kisha qenë ndonjëherë, “Syrin e Ciklopit”. Ndodhej rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skëterrë, në luginën e lumit Erzen.  Nisja bëhej në orën 7:00 të mëngjesit, ndërsa kthimi në orën 18:00.

Kisha dëgjuar shumë për këtë vend, por s’më ishte dhënë rasti të shkoja më parë. Pashë fotot në faqen e agjencisë, dhe me të vërtetë u befasova, por s’e mendoja që do mbetesha akoma më e mrekulluar kur të shkoja atje.

Kontaktova në numrin që agjencia kishte në faqen e tyre në “facebook” dhe rezervova një vend. Në mëngjes vesha rrobat e banjos, tuta të shkurtëra, një bluzë të lehtë, atletet, vura çantën mbi shpinë dhe u nisa për në destinacion në qendër të Tiranës, aty ku po prisnin dhe 20 të rinj e të reja.

Por, si fillim u kujdesa që në çantë të merrja gjërat e nevojshme për udhëtimin një ditor, si; shishe uji me akull, fruta, ëmbëlsira, sanduiçë, kapele dhe syze.

Nisja u bë në orën 7:00, ashtu siç ishte e planifikuar. Gysi, guida jonë, pasi u prezantua me ne, na lajmëroi që rruga deri në fshatin Skëterrë të Kërrabës zgjaste rreth një orë. Pastaj duhej të ecnim në këmbë për gati dy orë derisa të ngjiteshim te “Syri i Ciklopit”. Kështu, ata që s’patën marrë ujë dhe ushqim me vete u ndalën në ‘fast food”-et dhe marketet gjatë rrugës dhe morën gjërat e nevojshme për udhëtimin.

Arritëm në fshatin Skëterrë të Kërrabës. Zbritëm nga furgoni dhe u bëmë gati për të nisur udhëtimin në këmbë.

Një dyqan fruta-perimesh në hyrje të fshatit tërhoqi vëmendjen e Mirit, studentit nga Kukësi. Ndonëse Gysi e paralajmëroi se rruga ishte shumë e gjatë dhe malore, ai ishte i vendosur ta blinte shalqirin që e shihte nga larg. E vuri mbi shpinë e nisi të ngjiste rrugën paasfaltuar e me gropa .

Herë pas here ndalonim të pushonim rrugës, por Gysi për të na motivuar thërriste me zë të lartë: “Forca grupi! Edhe 5 minuta arritëm. Jeni më të mirët!”, e ne çoheshim sërish.

Banorët e zonës na shihnin gjithë kërshëri, e na përshëndesnin kur ecnim rrugicave të ngushta të fshatit. Njëri prej tyre na ofroi dhe disa manaferra, për të cilat mori falenderimet tona.

Ishim të etur, vapa e vështirësonte akoma më shumë udhëtimin. U ndalëm pranë një shtëpie, aty ku buronte ujë i freskët nga mali. Lamë sytë, shuam etjen dhe u nisëm sërish.

Ishim entuziastë dhe mezi prisnim të arrinim në destinacion, por infrastruktura linte shumë për të dëshiruar. Shtigje të ngushta të hapura nga vetë udhëtarët, rrugë me pluhur, me shkëmbinj, mbi të cilët duhej të ecje me kujdes. Nuk ishte vënë dorë nga asnjë strukturë shtetërore për të investuar në një vend që njihet si një nga mrekullitë e rralla natyrore në Shqipëri.

U ngjitëm në majë të malit. Edhe pak na kishte mbetur për të ecuar. Nga sipër shihnim shtëpi, rrugë, e gjelbërim. Gysi na shpjegoi se rrugica që shihnim nga lart na çonte te “Shpella e Pëllumbasit”, por që do e vizitonim një herë tjetër.

Nisi të frynte një fllad i lehtë. Nga larg dëgjoheshin cicërimat e zogjve. Ç’kënaqësi… dukej sikur bëheshe njësh me natyrën. Shumë prej nesh nisën të bërtisnin me zë të lartë, si për të nxjerrë stresin e javës, apo “mllefin” që ndonjëri s’ia kishte nxjerrë eprorëve, ndërsa malet oshëtinin nga zërat tanë.

Po ecim përmes pyllit, nëpër shtigje të ngushta, të cilat i kishin zbuluar më herët vizitorët e “Syrit të Cikllopit”. Pemët s’po na linin të shihnim, por dëgjuam nga larg zhurmën e ujit dhe zëra pushuesish. Mezi prisnim të shihnim natyrën e shumëpërfolur…. dhe papritur “Syri i Cikllopit” doli para nesh.

Ndonëse kisha parë shumë foto e video, ndjesia që të krijohej aty për aty ishte e papërshkrueshme.

Një mjedis i vogël, rrethuar nga shkëmbinj në njërin krah dhe nga pemë në krahun tjetër. Një burim uji që rridhte nga një cep i shkëmbit vërshonte dhe mbushte gropat e krijuara nga vetë natyra.

Sa shëmbinj të shkëputur qëndronin “stoikë” në hyrje të shtegut. Zhurma e ujit bashkohej me melodinë e zogjve dhe brohorimat e pushuesve që laheshin e luanin me njëri-tjetrin. Ohh ç’qetësi. Ajo pamje, ajo qetësi zhduku brenda disa sekondave lodhje e udhëtimin prej dy orësh. Ishte thjesht përrallore….

Gjetëm një qoshe të shkëmbinjve ku ishte pa njerëz, hoqëm rrobat, vumë poshtë peshqirët, e disa prej të rinjve u zhytën menjëherë në ujë.

Si ujë burimi që ishte, qe shumë i ftohtë, por kjo nuk ndaloi asnjërin prej nesh që të mos zhytej.

Ajo që ishte më pozitive nga gjithçka qe fakti që valët e celularit nuk kapnin, kështu që kishim një ditë pa rrjetet sociale, vetëm për vetëm me natyrën.

U ulëm në formë rrethi dhe nisëm secili të prezantoheshim shkurtimisht. Elda ishte vajza 27-vjeçare me profesion piktore, së cilës i pëlqente shumë të udhëtonte. Ajo na tregoi disa nga pikturat e saj, të cilat na lanë me të vërtetë pa fjalë. Ajo kishte ardhur në udhëtim me shoqen e saj të ngushtë, Artën, e cila ishte ekonomiste.

Alma ishte gjimnazistja çapkëne, që aktualisht punonte në “call-center”, por që donte të bëhej gazetare në të ardhmen. Ndaj më pyeste dhe për univerisitetin, punën, sfidat e gazetarisë; etj…

Mario nga Shkodra kishte ardhur me të dashurën. Ai u lodh aq shumë gjatë rrugës dhe nisi me ankesat, por kur pa natyrën e mrekullueshme tha, “ia vlen të humbasësh ca kile për të parë këtë mrekulli”.

Gysi nisi të na shpjegonte se përse i ka mbetur emri “Syri i Cikllopit” zonës.

“ ‘Syri i Cikllopit’ ose siç njihet ndryshe ‘Gjurma e Ciklopit’ është rreth 20 metër e gjerë dhe 120 metër  e thellë. Siç e shihni dhe vetë, kjo është një perlë e fshehur në grykën e Krrabës. Legjenda e “Syrit të Ciklopit” flet për një bishë të stërmadhe, e cila e përndjekur nga banorët e zonës, pas shumë dëmeve që kishte shkaktuar, përfundoi pikërisht poshtë këtyre shkëmbinjve. Thonë se aty ku shkeli për herë të fundit bisha, mbetën gjurmët e gërvishtjes së kthetrave të tij dhe aty ku vdiq, mbeti një liqen në formë zemre”, po rrëfente Gysi, guida jonë.

Më pas të gjithë nisëm të luanim me “pantomime”. Kur Sara nisi të imitonte vjehrrën, po e përshkruante si “përbindëshi” që mbante lidhur pas vetes djalin e që zihej me nusen. E në fakt unë akoma nuk arrij të kuptoj se përse rinia kanë këtë përshtypje për vjehrrat..

Ndërsa loja “e vërtetë apo dënim”, zbuloi disa “sekrete” tonat, por dhe shumë  prej nesh u ndëshkuan duke u hedhur nga lartë shkëmbit, apo duke bërë nga 30 pompa secili.

Shalqirin që Miri mori me vete e vumë në ujëvarën aty pranë që të ftohej. Me thikën që Eda kishte marrë me vete, e ndamë në disa pjesë dhe bëmë “gëzuar” të gjithë.

Ishte një ditë e gjatë, relaksuese por dhe shumë e këndshme. Pasi u lamë disa herë, hëngrëm, luajtëm, eksploruam deri në detaj zonën e vogël, ora shkoi 17:00 dhe ne duhej të ktheheshim, por me një ndjesi shumë pozitive dhe tejet të relaksuar.

Ishim gati të nisnim një të hënë të kthjellët dhe për të punuar me shumë zell. Gjatë kthimit të gjithë i thirrnim në emër njëri-tjetrit dhe e lamë që sërish, si grup i ri që u njohëm brenda një dite, të realizonim një tjetër udhëtim fundjavën e ardhshme….

Një tjetër destinacion për t’u ekploruar, një tjetër mrekulli natyre për t’u promovuar dhe shpirtërat rinorë gati për udhëtimi e radhës…/Politiko.al/

 
Syri i Ciklopit by politikoal

COMMENTS

error: Content is protected !!