Flash News

KRYESORE

Mbledhja e parë e grupit, Basha paralajmëron opozitë të fortë: Ndodhemi në kohë kritike, do jemi pengesë për autokracinë

Mbledhja e parë e grupit, Basha paralajmëron opozitë të

Partia Demokratike ka zhvilluar sot mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Kryetari Lulzim Basha ka paralajmëruar një opozitë të fortë për t’i bërë ballë autokracisë dhe elitës së korruptuar. Ai theksoi se kjo është një kohë kritike për Shqipërinë dhe detyra e opozitës është që të gjendet më pranë njerëzve.

“Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë. Na takon ne, Partisë Demokratike dhe deputetëve të saj, që të bëhemi pengesë që vendi të mos rrëshkasë në autokraci. Do të reformojmë Partinë Demokratike, e cila do t’i paraprijë reformimit të gjithë sistemit në Shqipëri. Na takon ne që të jemi jo vetëm alternativa politike, por edhe alternativa morale. Ne do të jemi alternativa e njerëzve. Shqiptarët e thjeshtë janë sot më të braktisur se kurrë nga elita politike. Opozita jonë nuk do t’i lërë vetëm. Sistemi ynë nuk i jep opozitës asnjë pushtet real, ndërkohë që qeveria kontrollon të gjitha instrumentat”, tha Basha.

Në fund të fjalës, Basha i uroi suksese deputetëve të rinj të PD-së, duke i paralajmëruar për ashpërsinë që i pret në botën e politikës.

“Deputetëve të rinj dua t’ju uroj një fillim të mbarë të misionit politik në shërbim të njerëzve. Mirësevini në botën e ashpër të politikës shqiptare. Do t’ju fyejnë, do t’ju sulmojnë, do t’ju vënë në dyshim, por ju duhet të ruani dinjitetin dhe durimin. Të mos ndaleni së shërbyeri njerëzve dhe të luftoni për të drejtat e tyre. Puna juaj do t’ju shërbehet me mirënjohjen e njerëzve. Ju jeni njerëzit që keni marrë besimin dhe përfaqësimin më të lartë që mund të marrë një politikan në radhët e PD. Ju jeni njerëzit me përgjegjësinë më të madhe në Partinë Demokratike. Uroj ta përmbushni me nderë detyrën tuaj”, deklaroi kryeopozitari.  

Të fundit