Libra, Sfida dhe Bleta, ‘kërpudhat’ e fushatave elektorale

Libra, Sfida dhe Bleta, ‘kërpudhat’ e fushatave elektorale

Naum Mara

Thatësira e kësaj vere, pas “shirave” të shumta politike të pranverës, solli edhe tharjen e dy-tre lëvizjeve politike, të cilat dukeshin shpresëndjellëse në fillim të vitit.

Janë “Libra”, “Sfida” dhe “Bleta Shqiptare”.

Edhe njëherë del në pah një problem i jetës politike shqiptare – Ai i moskoherencës në luftën opozitare dhe veprimet politike të partive.

Eshtë kjo, një arsye më shumë, që elektorati t’i bjerrë shpresat dhe të shkojë gjithnjë e më pak tek kutitë e votimit.

Po si e justifikojnë ‘prijësit’ e këtyre lëvizjeve opozitare mosangazhimin disamujor?

A është përmirësuar gjendja e Shqipërisë, apo është bërë e pashpresë?

Shenasi Rama, edhe pse në ndryshim nga dy të tjerët, nuk e gjykoi të mundshme pjesëmarrjen në zgjedhjen e qershorit, ka preferuar të rrijë në heshtje në pritje, që “Bletës” t’i forcohen krahët, ose një “katrahurë“ të ndodhë në Tiranë dhe ai me shokët e tij të vijnë dhe të ofrojnë “zgjidhjen perëndimore”.

Gjergj Bojaxhiu, edhe pse pas rezultatit të qershorit dha dorëheqjen, me largimin total nga skena, le përshtypjen se “Sfida” e tij, ka qënë shumë larg “sfidës për të ngjitur Himalajet”. Për këtë të fundit duhen fonde, përgatitje disa vjeçare, disa ekspedita të dështuara, deri në buzëqeshjen e fundit të ngritjes të flamurit në Everest. Edhe aksioni politik për përmirësimin e vendit duhet të jetë i tillë, por përpjekjet e “Sfidës”, i ngjanë më shumë një shëtitje deri në kalanë e Petrelës.

Më i zëshmi prej tyre, më i stërvituri në betejat politke dhe më kontradiktori, Ben Blushi, ka “harruar” që, sipas kalendarit Gregorian ka erdhur shtatori dhe është më e lehtë të organizosh rininë shkollore dhe studentore. Të le përshtypjen, se “Libra” e tij është një projekt, ose një “libër” në punim e sipër, që mund të futet në sirtar dhe të rikthehet në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Ndoshta nga që jemi ende në statusin e përcaktuar nga Rexhep Qosja, të “pre politikës”, ne kemi një listë të pafund me parti dhe lëvizje opozitare, të cilat punojnë vetëm “me aksion me goditje të përqendruar”.

Angazhimi në politikë nuk mund të jetë projekt.

Nuk ka se si as të lidhet vetëm me praninë në Kuvend apo në këshillat bashkiake.

Ata, të cilët “ngjiten” në fushën e vështirë të politikës, në rast se nuk i kanë bërë hesapet mirë, duhet të të paktën moralisht t’ju drejtohen ndjekësve të tyre e t’ju thonë: “Ne nuk ishim të përgatitur për “fushatën” shumëvjeçare të ndryshimit të peizazhit politik në vend!”

Lehtësia me të cilën u krijuan dhe po treten forcat e sipërpërmendura është gati e njëjtë me “mungesën e përgjegjësisë“ të aktorëve politikë, që janë në kuvend dhe janë kritikuar aq shumë nga Lëvizjet e reja.

Nuk sheh as përpjekje për bashkim të tyre, riorganizim, krijime të mediave të pavarura online, dhe veprime të tjera të domosdoshme për të fituar mbështetje në popull.

Po presin “shirat” e fushatave që do vijnë?

Ndoshta.

Por, deri atëhere, Edi Rama mund të ketë gëlltitur edhe një pjesë të LSI-së dhe do të jetë më i pamposhtur se kurrë.

COMMENTS

error: Content is protected !!