Fjalimi i Ramës, livando mbi fushën e një masakre

Fjalimi i Ramës, livando mbi fushën e një masakre

Alfred Lela

Në krye fare, fjalimi i Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë, zbulon maninë e tij për metikulozitetin (detajet e imta): kryeradhët, pikat, presjet, thonjëzat, fjalët, janë të gjitha të zgjedhura me kujdesin e një orëpunuesi zviceran. Por, ky nuk është thelbi, edhe pse mungesa e tij zbulon, në fakt, gjithë thelbin.

Fjalimi i Kryeministrit Rama më 11 shtator të vitit 2017, në prezantimin e programit dhe qeverisë së re, është programatik, pa qenë i lidhur me programin, pra me thelbin.

Rama bie në dëshirën e grandeuri-it të fjalimshkruesve të mëdhenj të shekullit. Ai përpiqet, siç është përpjekur edhe këtë herë, për të tingëlluar ruzveltian apo klintonian. Fjalimi i tij ka aromën e fushave me livando që ‘mbillen’ përherë, pasi mbi fusha ka ardhur pranvera e paqes, bash aty ku pak muaj më parë dergjej pamja e një masakre; gjaku dhe trupat që më pas do bëheshin ngashnjim për fjalimet e paqes.

Duke u ndjerë i qetë me fitoren pa aleatë, Kryeministri kërkon të marrë mbi vete edhe atributet e atij që, jo vetëm ndezi luftën, por bëri edhe paqen. Nuk ka rëndësi se kjo nuk është e vërtetë, dhe se ai luftoi, me thikë ndër dhëmbë, deri në pikën e fundit të djersës elektorale dhe fjalës propagandistike, për të mohuar shqiptarisht e botërisht, se kanabis nuk mbillet këtyre anëve, se kriminelët nuk janë të tijtë, se Shqipëria mund të shkojë në zgjedhje edhe pa opozitën zyrtare.

Nami u bëftë! Hë mo tani, se nuk u bë nami!

Fjalimi, prodhon një mea culpa, por ajo, ashti si një shishe livandoje nuk do mund të mbulonte një fushë të mbjellë me kufoma, nuk e heq dot kutërbimin. As të kriminalizimit të politikës, dhe as të ‘fushave të kanabisit’ që, u bënë industria shtetërore e Republikës së Rilindjes.

Je në paradoks, zoti Kryeministër! Kur thua (më në fund, o Zot!) se, Po, opozita e Lul Bashës kishte të drejtë në betejat kalorsiake për kriminelët në parlament e pushtete të tjera, dhe për ‘malet me hashash mbuluar’, dhe, megjithatë, ti i fitove zgjedhjet.

Në cilin vend normal, një qeveri që lejon, kundërshton e mohon, dhe pastaj e pranon se, po, ka patur edhe kriminelë në gji të vet, edhe kanabis pafund në orët e pafundme të katër viteve të hyqmit të saj, megjithatë i fiton zgjedhjet e radhës?

Çfarë ka ndodhur? Si? Cila deus ex machina e prodhoi këtë fitore?

Ti e di. Ne e dimë. Të gjithë e dinë.

Për këtë, marrja e përgjegjësive vetëm me anë të fjalëve, është poshtërsi etike dhe politike.

Fjalët sjellin në brigjet e ditëve të reja trupat e vdekur të shumë turpeve të fshehura. Shqetësimi për imazhin e Shqipërisë, të cënuar nga opozita dhe lobimet e saj nëpër botë, që u ngrit në fjalimin tënd si keqardhja e një ati themelues, është një i tillë turp i fshehur, që bëhet publik në orët irrituese të vonesës.

Dhe, prapë je në paradoks.

Ndërkohë që pranon se Basha me të tijtë, kishte të drejtë për dekanabisin dhe dekrimin, dy kauza dhe realitete të mohuara botërisht e me forcë prej teje, thua se opozitarët, kur trokisnin derë më derë, ngaqë ti si dëgjoje, i paskërkan marrë erzin Shqipërisë.

Heu!

Hiq këto dy momente themelore, fjalimi ishte i shkëlqyer. I lexuar në një distancaë 50 vjeçare, mund të tingëllojë ruzveltian dhe klintonian. Për ata që Shqipërinë e kanë në lëkurë sot e katër vjet, është një akt përbuzjeje, mbi të cilin është hedhur livandoja e fushave të stilistikës.

Kush e vesh atë aromë edhe vetë, e njeh.

COMMENTS

error: Content is protected !!