A është i nevojshëm kërkimi shkencor?

A është i nevojshëm kërkimi shkencor?

Edi Puka    

 

Kanë kaluar gati tre dekada nga përfundimi i një sistemi, i cili për hir të së vërtetës, i jepte një rëndësi kombëtare kërkimit shkencor, lidhur kjo edhe me karakteristikën jetike që përbënte ky fakt për regjimin e shkuar. Pas viteve 90’, koncepti i kërkimit shkencor në institucionet shkencore të vendit tonë ndryshoi, për mirë apo për keq pati një ndryshim rrënjësor, kjo pasi nuk u pa më si prioritet i asnjë qeverie dhe nuk u përfshi denjësisht në asnjë strategji kombëtare për arsimin e lartë. Por a mund të bëjmë pa kërkimin shkencor, duke huazuar thjesht atë që bëjnë të tjerët dhe duke mos patur një produkt origjinal i cili të përfaqësojë prodhimtarinë e vendit tonë? Mendoj se është e pamundur.

Kjo për dy arsye themelore:

E para, nëse nuk ke prodhimtari origjinale nuk mund të kesh produktivitet origjinal dhe asnjë lloj forme efektive organizuese, menaxhuese dhe zhvillimore të koncepteve të nevojshme për një shoqëri moderne dhe europiane, siç pretendojmë të jetë kjo e jona.

E dyta, kërkimi shkencor i kryer në vetë të parë bën të mundur realizimin e konceptit themelor të shkencës, argumentimi i teorisë dhe aplikueshmëria praktike e saj, pa të cilën nuk mund të mendojmë se ekzistojmë si individë dhe aq më shumë të mendojmë se mund të ekzistojnë universitete apo institucione kërkimore.

Kërkimi shkencor nuk lidhet thjesht me faktin e të kryerit të një procedure rutinë, por lidhet me rëndësinë e produktit të pamohueshem që prodhon. Mungesa e një veprimtarie të tillë do të sillte vetëm fundosje mendore dhe zhvillimore të konceptit njerëzor. Kjo veprimtari bën të mundur zhvillimin tonë mendor dhe fizik, pasi produkti lidhet drejtëpërdrejtë me atë çfarë jemi dhe atë çfarë bëjmë. Një ide e tillë, sigurisht që është e vështirë për t’u kuptuar dhe dyfish e vështirë për t’u aplikuar, por ne thjesht duhet të biem dakord për një fakt të pamohueshëm, një institucion i arsimit të lartë nuk mund të ekzistojë pa një koncept të qartë të kërkimit shkencor. Në këto 27 vjet, sigurisht që ka patuar shumë faktorë të cilët kanë luajtur rol domethënës në rënien e cilësisë apo zhdukjen e idesë së të bërit shkencë. Ky fenomen është parë më shumë si një e shkuar e hidhur ose si një arritje e parealizueshme në kushtet aktuale financiare. Kjo dilemë ka ndjekur dhe ndjek studiuesit shqiptarë. Të bëjmë apo të bëjmë sikur bëjmë?

Për fat të keq në shumicën e rasteve ka fituar kjo e fundit. Në një pjesë dërrmuese të institucioneve të vendit, bëhet sikur bëhet. Kërkimi shkencor ka kohë që është lënë mënjanë duke u zëvendësuar me atë që rëndom mund ta quajmë pseudokërkim: plagjiarizmin. Puna e kryer nga të tjerët, dhe më specifikisht kur janë të huaj dhe të njohur ndërkombëtarisht, është më e lehtë për t’u huazuar, modifikuar, përkthyer dhe origjinalizuar se sa të bëjmë një punë tonën origjinale, e cila nuk do të ishte kaq e thjeshtë pasi do të kërkonte mundin e nevojshëm, të cilin për fat të keq, e kemi me pakicë. Jemi mësuar të vegjetojmë dhe të mburremi me atë që nuk bëjmë dhe kjo është për të ardhur keq.

Gjithsesi, siç thuhet gjithmonë, e ardhmja do të na gjykojë të gjithëve, duhet thjesht të kuptojmë që pa kërkim shkencor në institucionet tona nuk mund të përparojmë, gjithmonë nëse dëshira dhe funksioni ynë mbetet përçimi i dijes tek të tjerët, në rast të kundërt nuk ka asnjë lloj problemi, thjesht të “huazojmë” rrugën e nisur dhe bitisur nga të tjerët.

COMMENTS

error: Content is protected !!