Flash News

KRYESORE

Nuk është vetëm Shqipëria e Edi Ramës, Holanda ka marrë përsipër përballjen me autokratët e Europës

Nuk është vetëm Shqipëria e Edi Ramës, Holanda ka

Bashkimi Europian, ose më saktë, Gjermania dhe grupi i vendeve që e mbështesin, ku përfshihet Holanda me Austrinë, kanë marrë përsipër të përballen me autokratët që kanë brenda unionit, por edhe ata që ndodhen në kufinjtë e tij.

Policia dhe Prokuroria holandeze i kanë dorëzuar pak ditë më parë qeverisë një raport ku ndër të tjera sugjeron rikthimin e vizave për Shqipërinë, për shkak të rritjes së kriminalitetit që vjen nga vendi ynë. Raporti është dorëzuar në një kohë kur Holanda është me qeveri të përkohshme, megjithatë ndryshime të mëdha nuk do të ketë sepse fitues në zgjedhjet e fundit u shpall kryeministri aktual.

Nuk është hera e parë që Haga mban qëndrime të ashpra ndaj Tiranës, madje në 2013-ën bllokoi dhënien e statusit kandidat, e mbështetur nga Gjermania dhe Franca.

Ky qëndrim i fundit i holandezëve për Shqipërinë nuk lidhet vetëm më çështjen e kriminalitetit, por është pjesë e një politike më të gjerë që shteti themelues i BE-së po ndërmerr ndaj vendeve që kanë probleme të theksuara me demokracinë.

Në mars të këtij viti, Holanda doli në krye të grupit të vendeve europiane që kundërshtuan ashpër referendumin në Turqi. Ministrat turk u ndaluan të zhvillonin takime me komunitetin e tyre në Holandë, ndërsa Ankaraja tërhoqi ambasadorin nga Haga duke i çuar marrëdhëniet në nivelin më të ulët.

Kritikat nuk kanë munguar as për Varshavën pas përpjekjeve të qeverisë atje për të futur duart në sistemin e drejtësisë, por për shkak të kompleksitetit të çështjes ishte Berlini ai që mori përsipër të përfshihej në një kurs përplasjesh dhe replikash me qeverinë polake.

Ndërkohë, Hungaria ka tërhequr sot ambasadorin e saj në Hagë pas kritikave të ashpra të bëra nga ambasadori holandez në Budapest kundër kryeministrit Viktor Orban.

Ambasadori holandez, Gajus Scheltema, në fund të misionit, kishte krahasuar dje në një të përjavshme hungareze metodat e qeverisë së kryeministrit, Viktor Orban me ato të përdorura nga “terroristët myslimanë”, duke shkaktuar zemërim te vendasit.

Nuk duket rastësi që Shqipëria e Edi Ramës bëhet pjesë e listës së vendeve ‘problematike’ për Holandën, së bashku me Turqinë e Rexhep Taip Erdogan, Hungarinë e Viktor Orban dhe Poloninë e Beata Szydło.

Nëse në përballjen me tre shtetet e tjera Haga ka patur hapur mbështetjen e Gjermanisë, për Shqipërinë nuk janë dhënë ende sinjale të tilla, të cilat nëse rikthehen si në 2013-ën, rrezikojnë seriozisht lëvizjen e lirë të shqiptarëve./Politiko.al

Të fundit