Nixon-Kennedy, kur imazhi u bë “mbret”

Nixon-Kennedy, kur imazhi u bë “mbret”

Pasqyrimi i atij debati të parë presidencial të shfaqur në televizion, një prej katër të tillëve që u zhvilluan atë verë, shënoi një pikë kthese në zgjedhje dhe, më e rëndësishmja, një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si do të shiheshin tani, një herë e përgjithmonë, garat politike në Amerikë.

 

Ata qëndronin krah për krah në Cikago, duke dalë nga televizorët bardhezi i Amerikës një mbrëmje të hëne në shtator të vitit 1960: John F. Kennedy, kandidati fotozhenik i Partisë Demokratike për president, dhe kundërshtari i tij, Richard M. Nixon, i cili shumë shikues mendonin se dukej i zbehtë në fytyrë dhe krejt i djersitur.

Pasqyrimi i atij debati të parë presidencial të shfaqur në teevizion, një prej katër të tillëve që u zhvilluan atë verë, shënoi një pikë kthese në zgjedhje dhe, më e rëndësishmja, një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si do të shiheshin tani, një herë e përgjithmonë, garat politike.

Në shumë drejtime, zgjedhjet e vitit 1960 ishin fushata e parë politike amerikane, me të gjithë vëniet në skenë të përshtatura për TV, me simbolizmin si dhe llamburitjen mikroskopike të medias – një gjë kaq shumë evidente në garën e ditëve të sotme teksa një tjetër mjet komunikimi, interneti, ka ndryshuar edhe një herë rregullat.

“Ata debate e ndryshuan krejtësisht bisedën”, thotë Larry Sabato, një politolog në Universitetin e Virxhinias. “Televizioni ka të bëjë me imazhin dhe jo substancën”, thotë Sabato, duke shtuar se “Kennedy u zgjodh pasi njerëzit u bazuan kryesisht në atë çfarë ndodhi në ato debate”.

Më shumë se 70 milionë njerëz (nga 179 milionë në të gjithë vendin) e panë atë debat të parë. Zëvendës presidenti Nixon, 47 vjeç, kish qenë një pjesëtar i ekipeve të debateve në kolegj, dhe pritej nga të gjithë që ai ta trulloste Kenendyn. Por Senatori 43 vjeçar i Massachusettsit, me qëndrimin e tij shumë miqësor për ekranin, duket se fitoi mbështetjen e shumë njerëzve, që më parë kishin e vënë në dyshim për shkak të mungesës së përvojës dhe moshës së re.

Në një studio në Cikago, shumë më e thjeshtë dhe e zymtë se çdonjëra nga ato që janë parë në fushatat e mëvonshme, dyshja nisi të ezaurojë pyetje mbi arsimin, pagën minimale dhe borxhin federal.

Ditën tjetër, reagimi i kombit nxorri në pah fuqinë e skenës televizive: njerëz që e kishin dëgjuar debatin në radio ishin më të prirur të mendonin se Nixoni kishte fituar, ndërkohë që ata që e kishin parë në televizion, ishin më të prirur të mendonin se i pari kish dalë Kennedy. Teleshikuesit ishin të prirur të mendonin se Nixoni, i cili ishte duke e rimarrë veten nga gripi, por që kish refuzuar të bënte makiazh para nisjes së emisionit, dukej tmerrësisht i lodhur, deri madje në kostumin e tij ngjyrë gri të hapur, i cili e bënte të shkrihej fare në sfondin e studios. Mbresat e shikuesve nga qyteti i lindjes së Nixonit, Whittier, California, e bënin të qartë se sa të pashlyeshme kishin qenë pamjet televizive – qoftë edhe për një grup njerëzisht veçanërisht miqësorë.

“Ai dukej i sëmurë, por edhe pak i pasigurtë”, i tha atëherë gazetës New York Times Albert Upton, i cili kish qenë profesor i dramës kur Nixoni kish qenë në Kolegj. Dhe ish partneri ligjor i Nixonit, Thomas Bewley tha: “Dick thjeshtë nuk dukej se ishte mirë. Veshja ishte krejt e gabuar. Nuk kishte atë frymën e dikurshme”.

NË STUDIO

Nixon nxorri mësime. Në tre debatet që pasuan, ai mbajti veshur një kostum më të errët dhe nuk është se sprapsi “goditjet” e tij, gjë që shumë mendonin se e kish bërë në debatin e parë.

Ashtu si interneti sot, televizioni u duk se u bë i gjithëpranishëm brenda natës: Deri në vitin 1960, 90 përqind e shtëpive amerikane kishin një televizor. Mjeti i ri i komunikimit detyroi kandidatët dhe fushatat që të evoluonin në rrugë e sipër: atë vit, si Nixoni ashtu edhe Kenendy u shfaqën në Jack Paar Show, pararendësja e “The Tonight Show”. Reklamat televizive, të përdorura për herë të parë në zgjedhjet presidenciale të vitit 1952 nga kandidati republikan Dwight D. Eisenhower, u bënë një pjesë shumë kritike e zgjedhjeve në vitin 1960. Historiani Theodore White, i cili shkruajti për fushatën e 1960 ka thënë: “Televizioni është procesi politik; është terreni ku luhet politika. Sot, veprimi është në studiot televizive, dhe jo në prapadhoma”.

Reklamat e Nixonit trumbetonin përvojën e tij si zëvendës i Eisenhowerit, ato premtonin ta mbanin Amerikën të sigurtë gjatë Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, dhe paralajmëronin se Kennedy do të rriste taksat.

Reklamat e Kenendy e paraqisnin atë si të gatshëm për të udhëhequr në një kohë tensionesh të mëdha në botë, nxirrnin në pah përkushtimin e tij për të krijuar vende pune dhe shanse të barabarta për të gjithë amerikanët, si dhe vinin në dyshim nëse Nixoni po ekzagjeronte, kur theksonte përvojën e tij. (Një reklamë e tillë tregonte presidentin Eisenhower në një klip, ku ai e kish të pamundur të përmendte qoftë edhe një kontribut madhor të Nixonit si zëvendës president).

Amerikanët ishin të gozhduar. Me Eisenhowerin që po përfundonte mandatin e tij të dytë dhe jo në gjendje të kandidonte sërish, asnjë kandidat nuk e kish avantazhin e të qënurit në detyrë.

Dhe Kennedy po kërkonte që të bëhej kandidati i parë katolik që shkonte në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Atë nëntor, zgjedhjet u përcaktuan nga rezultati më i ngushtë në disa dekada, me Kennedyn që fitoi votën populore me më pak se një përqind – më pak se 120 mijë vota. Avantazhi shumë i ngushtë shkaktoi një debat nëse manipulimet kishin ndryshuar rezultatin në shtete si Illinois, të cilin Kennedy e fitoi. Në Cikago, kryebashkiaku Richard J. Daley pezulloi nxjerrjen e rezultateve, deri disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Pas një ingaugurimi dramatik në janar 1961, Presidenti Kennedy, me një familje të re dhe tërheqëse që intrigoi një komb të tërë, vazhdoi duke përdorur mediat në mënyrë të tillë që asnjë president nuk e kish bërë deri atëherë.

Ai ftoi fotografë në Shtëpinë e Bardhë për të bërë fotografi të tijat dhe familjes së tij, gjë që ndikoi në krijimin e mistikës Kennedy, shumë e ngjashme me mistikën që ofronte Hollywood. Ai lejoi që konferencat e tij presidenciale të transmetoheshin direkt në televizion – pas të cilave ai analizonte performancën e tij, madje deri në këndet e ndriçimit dhe të kamerave.

Krizat e Kubës

Presidenca e shkurtër e Kenendyt mbahet mend më shumë për shumë zhvillim dramatike në Luftën e Fohtë. Në prill 1961, në një pëprjekje për të përmbysur diktatorin e ri kuban, Fidel Castro, ai urdhëroi pushtimin e dështuar në Gjirin e Derrave nga një grup mërgimtarësh kubanë të stërvitur nga CIA. Shumë u vranë ose u kapën, dhe Kennedy i turpëruar e gjeti veten në negociata për rikthimin e të mbijetuarve.

Në tetor të vitit 1962, pasi siguroi prova se Bashkimi Sovjetik po instalonte raketa bërthamore në Kubë, Kennedy urdhëroi një bllokadë detare të shtetit ishull, i cili ndodhet vetëm 90 milje larg nga Florida. Pas 13 ditëve të mbushura me tension në të cilat Uashingtoni dhe Moska ishin në prag të luftës bërthamore, kriza e raketave kubane përfundoi kur sovjetkët u tërhoqën dhe larguan raketat.

Pak më shumë se një vit më vonë, në 22 nëntor të vitit 1963, Kennedy u vra në makinën presidenciale në Dallas; zëvendës presidenti Lyndon Johnson nga Teksasi, i cili ndodhej dy makina pas në autokolonën, u betua po atë pasdite.

Në rast se ndokush e vë në dyshim impaktin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 1960, le të mendojë këtë: Pavarësisht faktit se miliona famijarë në të gjithë vendin panë debatet Kennedy- Nixon, asnjë debat mes kandidatëve të partive të mëdha për president nuk u zhvillua në 15 vitet e ardhshëm. Kryesisht kjo ndodhi sepse kandidatët në detyrë gjenin mënyra për t’i refuzuar: 1960 e bënte të qartë se sa shumë risk bartnin ata.

Duke filluar me garën e 1976, mes Gerald Fordit dhe Jimmy Carterit, debatet u shndërruan në normë, një kërkesë me presion të lartë për çdo kandidat pë presidencën. Dhe fokusi i madh i televizionit nënkuptonte tashmë se deklaratat e mençura, apo gafat gjatë fushatës u bënë momente të pashlyeshme në garat presidenciale.

Në 1976, Ford bëri një gafë kur tha se Polonia, në atë kohë ende një satelit komunist, ishte e pavarur nga Bashkimi Sovjetik; ishte një gafë që nuk e la më rehat deri në ditën e zgjedhjeve, kur edhe humbi. Në vitin 1984, Ronald Regani, i cili disa mendonin se ishte shumë i moshuar tashmë për atë detyrë, e hodhi poshtë një herë e mirë këtë dyshim, kur me zemër të hapur bëri thirrje gjatë një debati, që të “mos e shndërronin në çështje moshën” për Walter Mondaen, kundërshtarin e tij demokrat, i cili ishte më i ri në moshë. Në vitin 1992, presidenti George H.W. Bush u pa teksa kontrollonte me padurim orën e tij teksa debatonte me Ross Perotin dhe Bill Clintonin, i cili më pas fitoi zgjedhjet.

“Ajo garë e vitit 1960 ndryshoi shumë gjëra, dhe impaktet e saj mund të shihen edhe sot e kësaj dite”, thotë Vanessa B. Beasley, profesoreshë e komunikimit në Universitetin Vanderbilt. “Ajo ndryshoi se kush mund të kandidojë për atë detyrë”. “Dhe tani, në epokën e You-Tube, imazhi ka gjithnjë e më shumë rëndësi”, shton Beasley. “Eshtë më e rëndësishme se kurrë që një kandidat të jetë telegjenik, dhe që ai të mos reagojë as shumë nxehtë dhe as shumë ftohtë. Të gjithë këqyren si në mikroskop”.

Upfront – Bota.al

COMMENTS

error: Content is protected !!