Flash News

KRYESORE

Mbetën pa ministri, ja postet e rëndësishme ku mund të ‘strehohen’ Tahiri, Beqaj dhe Kodheli

Mbetën pa ministri, ja postet e rëndësishme ku mund të

Saimir Tahiri, Ilir Beqaj dhe Mimi Kodheli ishin emrat ‘e fortë’ të qeverisë së parë të Edi Ramës që nuk u rikonfirmuan në poste ministrore në qeverinë e dytë. Megjithatë, ish-ministrat nuk do të mbeten pa u shpërblyer me poste të tjera të rëndësishme dhe pritet që ata të marrin drejtimin e komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë.

Saimir Tahiri prej javësh po përflitet si kryetari i ri i Komisionit të Sigurisë, që në legjislaturën e kaluar u drejtua nga Spartak Braho. Fushat e përgjegjësisë së këtij komisioni janë organizimi i mbrojtjes kombëtare dhe Forcat e Armatosura, bashkëpunimi ushtarak, punët e brendshme, emergjencat civile, rendi publik dhe shërbimet sekrete, të cilat i japin Tahirit sërish një rol të rëndësishëm protagonisti.

Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli shihej si zëvendësuesja e Ditmir Bushatit në krye të diplomacisë, por Rama ndryshe nga sa pritej e rikonfirmoi deputetin e Shkodrës në të njëjtën ministri. Kodhelit nuk iu dha asnjë portofol në qeverinë e re, por shanset janë që ajo të emërohet në krye të Komisionit për Politikë të Jashtme, i drejtuar nga Arta Dade në katër vitet e kaluara.

Erjon Braçe mbeti sërish jashtë qeverisë ndonëse analistë të shumtë e shihnin të garantuar emërimin e tij në një nga ministritë e rëndësishme. Braçe drejtoi në katër vite Komisionin e Ekonomisë, post që mund t’i besohet në mandatin e ardhshëm edhe ish-ministres së Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Por Braçe mund të transferohet në një tjetër komision të rëndësishëm siç është ai i Veprimtarive Prodhuese, i cili ka në përgjegjësi bujqësinë, industrinë, telekomunikacionet, turizimin, rregullimin e territorit, tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit. Te ky komision Braçe duhet të mposhtë konkurrencën e Eduard Shalsit, që shihet gjithashtu si kandidat i mundshëm.

Konkurrenca bëhet më e fortë te Komisioni i Ligjeve që drejtohet aktualisht nga Vasilika Hysi. Pozita e Hysit ‘rrezikohet’ nga Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë të cilin Rama e kishte të vështirë ta rikonfirmonte në qeveri. Ermonela Felaj është një tjetër kandidaturë e mundshme për këtë komision.

Sa i përket Komisioneve të Punës, Integrimit dhe Medias, drejtimi i tyre do i kalojë PD-së dhe LSI-së.

Kandidatët e mundshëm për Komisionet e Kuvendit:

Komisioni i Ligjeve – Ilir Beqaj; Vasilika Hysi; Ermonela Felaj.

Komisioni për Politikë të Jashtme – Mimi Kodheli.

Komisioni për Ekonominë – Erjon Braçe; Milva Ekonomi.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare – Saimir Tahiri.

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese – Eduard Shalsi, Erjon Braçe.

Të fundit