Flash News

KRYESORE

Si ndryshoi në mënyrë radikale qëndrimi i kryeministrit Mustafa për tregun ballkanik

Si ndryshoi në mënyrë radikale qëndrimi i kryeministrit

Deri pak javë më parë, Kosova dhe Mali i Zi ishin dy vendet e Ballkanit Perëndimor që kundërshtonin idenë e një tregu të përbashkët, i mbështetur nga Serbia dhe Shqipëria. Por, në Samitin e Triestes, kryeministri kosovar, Isa Mustafa foli sikur të ishte njeri tjetër nga ai i tre muajve më parë.

Dje në Tireste, Mustafa e konsideroi tregun e përbashkët ballkanik si të nevojshëm për zhvillimin ekonomik dhe si rrugën që duhet ndjekur për anëtarësimin në BE.

"Unë shpresoj shumë që ky bashkëpunim do të na përgatis në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian, dhe nuk e shoh në asnjë rast si formë të zëvendësimit të përkohshëm të kësaj rruge tonë. Ne po ashtu jemi shumë të interesuar që të qojmë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendit tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Shohim interes të madh në këtë hapësirë ekonomike rajonale, qoftë në tërheqjen e investimeve të huaja në këtë hapësirë, qoftë në zgjidhjen e problemit të papunësisë, me të cilin ne në Kosovë veçmas jemi të ballafaquar, sepse kemi papunësinë shumë të lartë sidomos të grave dhe të të rinjve. Unë konsideroj se përmes këtij bashkëpunimi do të arrijmë që të zgjidhim problemin e konkurrueshmërisë, që Kosova e ka sidomos me konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian, për çfarë kemi nevojë që ta mbështesim njëri-tjetrin dhe të arrijmë që të kemi suksese më të larta”, u shpreh Mustafa.

Më 17 mars të këtij viti, qëndrimi i Mustafës ishte totalisht i ndryshëm. Ai theksonte se ky treg nuk ishte në interes të të gjithave vendeve dhe se Kosova nuk e shihte me entuziazëm këtë propozim.

“Tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve. Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është. Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri. Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Kosova vendin e vet e sheh në tregun unik Evropian, mbi bazën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, shprehej tre muaj më parë Mustafa.

Ky kapërcim i Mustafës nuk shihet aspak pozitiv për një kryeministër lidhur me një çështje që nuk prek vetëm vendin e tij, por një rajon të tërë.

Të fundit